>
BIOSHQIP
Biografia
Elizabetë Qarri Musliu, u lind në Gjakovë më 3 Gusht 1971. Studimet themelore i përfundoi në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, ku mori titullin Pianiste e Diplomuar, ndërsa studimet posdiplomike i përfundoi në fushën e Pedagogjisë Muzikore në Universitetin “Kiril i Metodij” në Shkup dhe mori titullin Magjistër i Shkencave Muzikore.

Nga viti 1993 ka punuar aktivisht si profesoreshë e pianos dhe korepetitore në shkollën e muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë, nga viti 2004-2015 ligjëruese dhe korepetitore në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës, në vitin 2015 ligjëruese e lëndës “ Bazat e Pedagogjisë Muzikore me Metodologji” në Universitetin e Prizrenit ‘’Ukshin Hoti”, nga viti 2014 ligjëruese në Fakultetin e Arteve-Dega e Muzikologjisë në Kolegjin AAB, etj.

Ka qenë e angazhuar në shumë komisione si hartuese apo anëtare në cilësi të ekspertes në fushën e planplogrameve nga fusha e arsimit muzikor, si dhe anëtare në hartimin e disa strategjive që lidhen me fushën e Arsimit dhe Kulturës. Ka pasur një aktivitet të pasur me koncerte në fushën e pianos brenda dhe jashtë vendit, anëtare jurie në komisione të rëndësishme si dhe ka botuar shkrime të shumta nga fusha e artit dhe edukimit muzikor. Ka përfunduar disa trajnime në fushën e Menaxhimit Arsimor, si: “Teaching Methodology and Academic Writing” (2004);” Hope Fellowships- Menaging People and Organizations, Operations Menagment, Strategic Thinking and Planning” (2007), etj.

Ka qenë anëtare e Këshillit Drejtues të Filharmonisë, Operës dhe Baletit të Kosovës (2010-2014), drejtore e Shkollës “ Prenk Jakova” (2009-2013); prodekane dhe dekane në Fakultetin e Shkencave Sociale në Kolegjin AAB (2013-2015), etj. Ka një aktivitet të shquar në fushën e krijimtarisë muzikore ku është shpërblyer edhe me çmime dhe mirënjohje të shumta. Nga viti 2015 është anëtare e bordit drejtues të British School of Kosova. Aktualisht është ligjëruese e lëndës së muzikës dhe prodekane në Fakultetin e Shkencave Sociale.
KATEGORI: