>
BIOSHQIP

Enrika Derza: “Universal” Më Bëri Të Këndoj House

28-07-2012
Një zë mjaft i veçantë i cili spikati gjatë edicionit të parë të talent show-t "The Voice Of Albania". Enrika Derza, një ndër katër finaltët e këtij kompeticioni mbahet mend për perfomancat e saj eksplozive në këtë spektakël si dhe për stilin e veçantë dhe unik që e karakterizonte vajzën më të vogël në moshë të këtij formati. Edhe pas përfundmit të "The Voice", ashtu si dhe për shumë konkurrentë të tjerë të tij, për Enrikën muzika vazhdoi të ishte e një ndër prioritet e saj. Në një intervistë për suplementin TH&TH, Derza rrëfen ecurinë e saj të deritanishme në fushën e muzikës si dhe planet e saj për të ardhmen në këtë drejtim dhe jo vetëm.

Enrika u bën disa muaj që nga përfundimi i "The Voice" si ka vazhduar evolimi i jetës tuaj profesionale?

Kam marrë pjesë në Top Fest dhe po punoj shumë vokalisht për festivale dhe evenimente të mëtejshme.

Do të kemi ndonjë këngë të re nga Enrika meqë jemi edhe në periudhën e verës?

Po, sigurisht. Edhe pak dhe do të lançohet në treg kënga e re nga shtëpia diskografike "Universal", e punuar nga producenti Andrei Vornicu, pjesëtar i Deep System. Kënga është mjaft verore dhe mendoj se do të pëlqehet goxha.

Do të shoqërohet me një klip?

Nuk jam e sigurt për këtë. Do të realizoj një klip së shpejti, por nuk e di akoma se cilës këngë.

Do të vazhdoni të jeni besnike e stilit rock apo keni ndërmend të eksperimetoni me ndonjë rrymë tjetër?

Do të eksperimentoj. Madje kënga nga "Universal" është e rrymës house, pasi sot për sot ajo është rryma që pëlqehet në masë. Diçka ndryshe nuk besoj se është keq herë pas here. Përveç këngës nga "Universal", do punoj së shpejti edhe një baladë me Miriam Canin dhe Alban Skënderaj, prandaj do të shihni një Enrika që ju ka munguar deri tani. Gjithsesi rocku është dhe do mbetet një ndër pasionet e mia më të mëdha.

I keni ruajtur lidhjet me konkurrentët e tjerë të "The Voice"?

Po, sigurisht. Kemi kaluar shumë kohë të bukura bashkë dhe në përgjithësi nuk janë persona që harrohen lehtë.

Po me trajneren Miriam Cani vazhdoni të keni lidhje?

Totalisht. Pavarësisht punëve me shumicë që kemi ,sidomos Miriami, ne gjithmonë gjejmë pak kohë herë pas here për të bërë plane për të ardhmen apo edhe thjesht për të biseduar.

Sa e shihni ndryshimin më përpara pjesëmarrjes në "The Voice" dhe tani që gjithsesi kanë kaluar disa muaj, mendoni se popullariteti juaj është shtuar apo pakësuar?

Nuk e di. Dua të them duhet të marr pjesë diku dhe të bëj diçka që të shoh nëse kam po të njëjtin popullaritet apo jo? Por është diçka që do t'a vërtetoj së shpejti.

Në një intervistë të dhënë pak kohë më parë për suplementin tonë jeni shprehur se "The Voice" ishte një mënyrë e mirë për të shpërtuar nga monotonia apo përditshmëria, sa e zbatim gjen kjo thënie pas kaq muajsh?

Po, është shumë e vërtetë. "The Voice" më ndryshoi jetën, ashtu siç ua ka ndryshuar gjithë konkurrentëve kam përshtypjen.

Ndiheni mirë nga ndryshimet e pësuara këto kohë në jetën tuaj?

Po dhe jo. Më ka pëlqyer gjithmonë muzika, aktivitetet që dikur i shihja në televizor dhe tani jam pjesë e tyre dhe kjo është diçka vërtet e bukur, por ama edhe jeta e thjeshtë dhe e qetë më pëlqen, pa vëmendje të tepruara. Shpesh mendoj që nuk duhej t'a kisha filluar kaq herët rrugën e artit, sepse kërkon shumë përgjegjësi e punë dhe shpesh bëhet e lodhshme. Deri tani kam bërë vetëm një ditë plazh ndërkohë që moshatarët e mi nuk bëjnë gjë tjetër. Por duhet patur parasysh që muzika është pasioni im më i madh dhe e di që do ia dal.

Sa i përket "Top Fest 9"u ndjetë e zhgënjyer që nuk mundët të ishit pjesë e finales?

Në fillim u mërzita pak. Zhgënjimet e para janë më të këqijat. Por më pas nuk i kushtova shumë rëndësi, në fund të fundit jam e re dhe kam kohë mjaftueshëm.Megjithatë unë isha e ftuar në finale për të kënduar dhe më shumë se një kupë plastike mua më intereson performimi në skenë dhe përderisa pata mundësinë t'a bëja, nuk më mbeti gjë peng. U ndjeva e kompletuar si gjithmonë.

Do të merrni pjesë në evente të tjera të këtij lloji?

Po, pse jo. Është gjithmonë mirë të jesh në kontakt të vazhdueshëm me audiencën në një mënyrë apo në një tjeter. Nuk është e domosdoshme të fitosh, më e domosdoshme është të qëndrosh pjesë e tregut.

Keni ndonjë hobi që preferoni të ushtroni përveç muzikës?
Adhuroj instrumentat, kryesisht pianon, por mbase është pak vonë tani për këtë hobi. Gjithashtu më pëlqen aktrimi por deri tani nuk më është dhënë rasti të bëj diçka konkrete për këtë. Ndoshta në të ardhmen, ku i dihet. (qesh)

Ku mendoni t'i kaloni pushimet këtë vit?
Nuk do të bëj pushime këtë vit, ose të paktën deri tani nuk kam planifikur gjë sepse po merrem me këngën dhe nuk më del koha. Mbase do të bëj diçka për pushimet dimërore.

Si pritet të vij shtatori për Enrikën, meqë është edhe fillimi i sezoneve televizive, keni patur ndonjë ofertë apo ndonjë plan për të qenë pjesë e ekranit?

Së pari do i dedikohem shkollës, meqë vitin e kaluar pothuajse e humba vitin e parë të gjimnazit për shkak të mungesave të shumta nga "The Voice". Përsa i përket televizionit, sigurisht që do të jem pjesë. Jo e rregullt sigurisht, por nëpër festivale dhe aktivitete po, madje do bëhem pjesë edhe e festivaleve ndërkombëtare.
(XHULIA KARAVELLA /Thash&Them)

Enrika Derza: “Universal” Më Bëri Të Këndoj House