>
LETERSISHQIP

Dashuria Ime

Përditë gjej shenja të përfjetura të fëmijërisë
në trupin tim. Brishtësia e lodhur nga vitet,
shqepet nën arnat e pantallonave të shkurtra,
që m’i arnonte nëna ime e lodhur
kur kthehej nga puna,
teksa pas çdo ngulje të gjilpërës mallkonte
topin e vogël prej llastiku
me të cilin përhumbja orët e lira me shokët.
Mes poreve të lëkurës sime ndjeja ftohtësi,
të njëjtë si ajo nga gjilpëra e tetanozit,
ndërsa tutje në horizontin e lodhur të ditës,
qielli shkruante psalme të vyera,
për malet që zbulonin kurrizin përditë
mbi misteret e ngrira
dhe për gjarpërrinjtë me barqe të fryra.
Nëpër hapësirat e trazuara të kohërave më vërtiten
ngarendjet e lidhura në shilarëse drurësh të thatë
ku paqtoheshin të shkuarat e pakapshme,
ku tjerreshin vitet,
mbi një furkë të madhe të mbushur me lesh
nga kurrizet e deleve të shkreta
nëpër ferra.
Mbi një pllajë të madhe të mbushur me re
ndërtonin foletë e tyre rrufetë
dhe pastaj mbillnin farën e tyre të sertë
në djerrina të pluguara thellë
të tjerrat bënin krushqi me vetëtimat,
që çanin si grifsha midis nesh.
Në rrjetën e tyre të shqyer
ngecnin me dhëmbët e tyre të shkulura bubullimat
bridhnin netëve si kafshë të harbuara
pranverat i bënin si dimrat
zhele-zhele nakatoseshin nën qiell
për të imituar pantallonat e mia.
Dhe bëheshim palë në mjaft raste
ato me hingëllima e ne me duatrtrokitje
mbilleshin shenja të përfjetura
me gulçe të fryra
nga drobitjet.
Jeta përcillej mes këtyre shenjave të përfjetura
si dremitja e nuses në odën e nusërimit
mbulohej me vello të trashë natyra,
se ishin mbarsur bubullimat
në fakt lindnin të pafytyrat,
plagë që hapeshin e strukeshin
në mish, në tru e në trup
nën hijen e qëllimshme që tendosej
kujdes se është turp!
Mbi këta arsye kalonte një ngarkesë e madhe
ku unë pavëmendshëm bëja pjesë
që në moshë të njomë kuptoja hallet
derisa pas asaj nate të gjatë
ndritën vetëm sytë e mi,
sytë e yjeve ishin verbuar,
pranë të kisha TY.
Mbi ato ditë nisëm të fluturonim të dy
flokët e bukur i mbaje fort me duar
ndërsa unë bëhesha palë me erën
t’i krihnim bashkë të ndjeheshim të lumtur
ata shpupuriteshin bënin bujë
binin lehtë mbi gjoks e sillnin fllad mbi mua
si toka për ujë
trupi im kishte etje për puthjet e tua.
Dhe tani,
në çdo cep të ecjes sime,
ke gjenezën e dashurive intime...