>
BIOSHQIP

Genta Ismajli: “Nuk Kam Kohë Për Dashuri”

25-01-2014
Edhe këtë vit ajo do të jetë shumë aktive në Tiranë, për shkak të projekteve që pritet të realizojë. Në një intervistë dhënë në Kosovë, Genta Ismajli ka zbuluar se çfarë e lidh më shumë me Shqipërinë. "Unë jetoj në Kosovë, megjithatë Shqipëria ka mundësi ma të mëdha për një këngëtare si unë. Për të realizuar projektet e mia, sigurisht që do të jem më e fokusuar në Tiranë…", ka theksuar këngëtarja, e cila vetëm pak kohë më parë ka lançuar një CD live, në bashkëpunim me këngëtaren Edona Llalloshi.



"Në momentin që kam zbritur prej aeroplanit nga Amerika, telefonatën e parë ma ka bërë Edona, e cila më tregoi në lidhje me qëllimin e këtij bashkëpunimi. Pranova pa pyetur dy herë dhe sigurisht që ka qenë kënaqësi e madhe për mua të punoj me të dhe një eksperiencë e re gjithashtu". Kohë më parë, Genta në faqen e saj në “Facebook” kishte postuar një trailer të një filmi të huaj, ku merrte pjesë edhe ajo.



"Agron Krasniqi më ka propozuar të marr pjesë në këtë film, regjisorët e kanë parë dhe i kanë pëlqyer performancat e mia në YouTube dhe kanë menduar se do të mund të luaj një rol aty. Roli im ka qenë si lajmpërcjellëse e një bosi të madh, fjala e të cilit ishte ligj, kurse unë i përcillja lajmet e këqija". E pyetur rreth punës së dokumentarit me rastin e 10-vjetorit të karrierës së saj, këngëtarja ka treguar se ende nuk kanë përfunduar përgatitjet rreth dokumentarit, por ka zbuluar planet për të ardhmen.



"Kam katër këngë që do të realizoj, klipe, projekte për të cilat jam në bashkëpunim me producentë e regjisorë të tjerë. Nuk mund të flas konkretisht, sepse nuk janë imtësuar në detaje si projekte. Këto janë planet e mia në të ardhmen, koncerte të shumta muajt e mbetur të dimrit", thekson Genta, duke thënë se për shkak të kohës që i merr muzika, nuk mund të dashurohet. "Projekte të shumta më presin në të ardhmen, nuk kam kohë për dashuri". Përveç kësaj, Genta do të jetë e pranishme me një superperformancë të jashtëzakonshme në natën finale të spektaklit “X Factor”, në Tiranë.
(Panorama Plus)

Genta Ismajli: “Nuk Kam Kohë Për Dashuri”