>
LETERSISHQIP

Kali I Bardhë

Një kalë i bardhë në oborrin tim,
Të solli mes borës, të ngrirë.
Në kasolle më hyre me guxim,
Të mora në gji, të ndiheshe mirë.

Nuk mjaftoi guna, unë fjeta me ty,
Dhe gjinjtë t’i dhashë t’i pije me etje.
Po kur u ngrohe, t’u ndez zjarr në sy,
Ike se të priste malli i një tjetre.

Duke menduar në një natë pa gjumë,
Do ngjizje brenda meje dashuritë e tua.
Lajmi u përhap, një natë është shumë,
Unë të prisja ty, ty që më bëre grua.

Ti ike, por le pas veten tënde,
Pjesë nga trupi yt, brenda trupit tim.
Nuk di, të kujtohem, a më ke në mendje,
A ndoshta për mua flet me përmallim?

Ti, që me kalë të bardhe më erdhe dikur,
S’ke për të ikur më, dhe pse erdhe rastësisht.
Një natë të tërë më dhe brenda dritë e nur,
Edhe pse sot për mua je kujtim i trishtë.