>
LETERSISHQIP

S’Di Ç’Ka Shkroi Hëna Në Drurë…

Hingëlliu mëzi i blertë i prillit
e u zunë plepat ndër vete
kush të bëhet letër më parë
ku të shkruhen vjersha për ty,
moj e bukura që i plak pasqyrat!
Ish e shtunë dhe supi yt
gjeth a yll m’i bënte duart.
E shtuna bën be se ka heshtur si gjethja
po gjethi ish gjeth prilli,
i ri, ndoshta ka folur.
Hingëlliu mëzi i blertë i prillit
e më dolën lumenjtë përpara
të mos më djegë kometa e zogjve
që i lëshoje prej syrit tënd.
Unë në gjumë lumenjtë i vura,
moj e bukura që i plak pasqyrat!
Hingëlliu mëzi i blertë i prillit,
çka shkroi hëna në drurë s’e di!