>
LETERSISHQIP

Bahti Im (Fati Im)

Zu Hasani e zihetë,
me baht të ti po prihetë:
vallë ku rri e fshihetë,
që s'po punon, more bahti im?

Un' i mjeri kam bërë aht
të të pyes, ty more baht:
sos u bëre vezir me taht,
që s'punon, more bahti im?

Ndë je turk, ndë je me mënt,
as më rrëfe yzrinë tënt,
as mos je haps në ndonjë vënt,
që s'punon, more bahti im?

Ndë je ymmeti Muhamet,
më rrëfe ç'ësht ky hiqmet.
Mos je zaif e s'ke kyvet,
që s'po punon, more bahti im?

Të të dije, mos je dembel?
Mos je hokabaz, që qit mel?
Mos je shair e çallidis tel,
që s'punon, more bahti im?

A mos t'është zënë mesi?
Mos të ka zënë përdhesi?
Mos t'është grisur thesi,
që s'punon, more bahti im?

Vallë, mos kemi bedua,
që s't'ecën as ty, as mua?
Ndë je me din, as më thua,
që s'punon, more bahti im!...

Ah, bahti im rumbullaku,
pse qenke ti kaqë ahmaku?
Pse s'i ndihe këti plaku,
që s'punon, more bahti im?

Kur zënë bota, punojnë,
turli punëra, ndërtonjë,
ty valle ku të dërgojnë,
që s'punon, more bahti im?...

Shokëtë punojnë me pluk,
gjetnë mëndafsh e pambuk,
ti pështille, kruhe si shup,
që s'punon, more bahti im?

Shokë blenë iltizame,
marinë arsa e ilame,
ti po thua qysh të hamë,
që s'punon, more bahti im!...

More bahti im i ndyrë,
i fëlliqur' e i pështyrë,
të dije se ku ke hyrë!
As punon, more bahti im!...

Vështo, bahn, të mos përtojmë,
sa të mujmë të punojmë,
se djemtë do t'i martojmë:
As punon, more bahti im!

Më shumë nga Hasan Zyko Kamberi