>
BIOSHQIP
Biografia
I rritur në një familje qytetare dhe me dhunti të dukshme të humorit, Xhixhi përfundoi shkollën e mesme “16 shtatori” në qytetin e Durrësit, për të vijuar studimet në Institutin e Lartë të Arteve, dega e “Dramës”. Ai u emërua si aktor në teatrin “Aleksandër Moisiu” të vendlindjes në vitin 1965, pak muaj pas ndërtimit të godinës aktuale të këtij teatri.

Krijimtaria e Haxhi Ramës, në fakt ka nisur në vitin e largët 1958, kur në një nga gazetat e kohës u botuan dy epigrame të tij. Ishte fillimi i pasigurt i një pasionanti të zjarrtë, besimi i të cilit mori formë me tekstin e këngës “Lemza”, që e bëri Haxhi Ramën bashkëpunëtor të kompozitorit të mirënjohur Agim Krajka, ndërsa këngët e tij u bënë hite të kohës nën interpretimin e këngëtarëve të mëdhenj, duke filluar nga Vaçe Zela.

Komeditë, skeçet, tekstet e këngëve dhe poezitë e shkruara prej tij ndër vite, dhe që janë “ngjitur” në skenë me dhjetra herë, të interpretuara nga artistë të gjinive të ndryshme, erdhën “të heshtura”, në faqet e dy përmbledhjeve, me titullin “BIS” dhe “BIS plus”.

Një titull që të kujton suksesin dhe duartrokitjet e merituara, që pjesa më e madhe e veprimtarisë së Mjeshtrit të Madh, Haxhi Rama, ka patur në skenat e të gjithë vendit.

Është një rrugëtim në kahun e kundërt me prozën dhe poezinë e zakonshme, e cila përgjithësisht mbërrin në skena apo në kinema pas publikimit në libra e vëllime të shtëpive të njohura botuese.