Hersiana Matmuja

Hersi: Është Viti Im, Isha E Përgatitur Për Fitoren

{{ risposta }}
Mesatarja:  {{ nStars }} / Votuan:  {{ nVotes }}
[30-12-2013]
Tabela e pikëve pas votimit të jurisë në natën finale
Intervista pas finales së edicionit të 52 të Festivalit.

“Kënga, një thirrje për të përmbajtur zemërimin dhe për të mos lënduar të tjerët”

“Nuk e di në duhet të qesh apo të qaj. Suksesi vjen pas shumë vështirësish të kaluara dhe ishte shumë i kërkuar dhe i dëshiruar për mua”.
Herciana Matmujës i duhet ende të mësohet me idenë se është pikërisht ajo që do të përfaqësojë Shqipërinë në Festivalin Europian. Kënga me muzikë të Genti Lakos dhe tekst të Jorgo Papingjit, “Zemërimi i një nate”, u shpall fituesja e edicionit të 52-të të Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar. Me një diferencë prej 14 pikësh nga vendi i dytë (69 gjithsej), në të cilin u rendit kënga “Me ty” kënduar nga Klodian Kaçani, e ndjekur nga “Grua”, kënduar nga Saimir Braho, “Zemërimi i një nate” u kualifikua për në Festivalin Europian të Këngës, edhe pse juria nuk ishte në një mendje. Është ndër të paktat herë, kur anëtarëve të jurisë nuk u përputhet asfare mendimi në lidhje me fituesin. Dhe të mendosh që ky ishte edicioni me më pak këngë në garë se çdo herë tjetër, vetëm 16… E megjithatë fituesja është Herciana Matmuja. Edhe pse tashmë e edukuar me një kulturë perëndimore dhe e mësuar me publikun e huaj, për shkak se prej 5 vitesh ajo jeton dhe studion për kanto në Romë, këngëtarja e di se skena e Eurosongut është një përgjegjësi shumë e madhe. Vetëm pak orë pas fitores, Matmuja ndan emocionet e para dhe tregon për bashkëpunimin me kompozitorin Genti Lako e poetin Jorgo Papingji…



Viteve të fundit ju keni qenë gati e përhershme në festivalin e fundvitit, e me gjithë zhgënjimet ju keni vazhduar të këmbëngulni e të mos i ndaheni kësaj skene…

Fituesja e edicionit të 52-të të Festivalit të Këngës në RTSH, Herciana Matmuja
Kjo ishte hera e pestë që merrja pjesë në Festivalin e Këngës në RTSH dhe hera e dytë që bashkëpunoja me dyshet e krijuesve Genti Lako dhe Jorgo Papingji. Mendoj se është këmbëngulja, kërkimi në vetvete dhe besimi te kënga që e bën një krijim të suksesshëm. Kësaj here u shpërblye gjithë mundi dhe sakrifica që kam bërë deri tani dhe do të vazhdoj të bëj. Pasi ky është vetëm fillimi dhe unë kam një rrugë të gjatë përpara.
Si “ngjiti” bashkëpunimi me dyshen Lako-Papingji?
Një vit më parë ne zumë vendin e tretë dhe i premtuam njëri-tjetrit se do të vazhdonim të bashkëpunonim. Kështu lindi kënga “Zemërimi i një nate”. Kur e kam dëgjuar për herë të parë, kam qarë dhe jam emocionuar jashtë mase. Si duket kjo ishte kënga e duhur…



Kënga ka një tekst të veçantë, cila është zanafilla?
Të gjithë që e kanë dëgjuar këngën, e kanë ndier sikur ajo ishte shkruar për ta. Të gjithë mund ta gjejmë veten tek ajo. Të gjithë mbartim zemërim brenda nesh dhe na ndodh të themi fjalën e fundit pa menduar gjatë se mund të lëndojmë të tjerët. Na ndodh që të pendohemi, por jo shumë kthehen pas. Ndaj dhe kjo këngë është një lloj thirrjeje, për të menduar dy herë, pasi zemërimi është shkaku i prishjes së shumë marrëdhënieve. Mendoj se thelbi i kësaj kënge, teksti i së cilës është qëndisur aq bukur nga Jorgo Papingji, me fjalët e thjeshta dhe të bukura shqip, qëndron pikërisht në frazën: Mëngjesi është më i zgjuar se mbrëmja. Kjo është edhe arsyeja pse ajo më përfshiu aq shumë dhe bëri që bashkë me të të dalë edhe zemërimi im, ajo grintë, ai emocion që ndoshta nuk kam arritur ta nxjerr herët e tjera. Ishte meritë e tekstit të Jorgo Papingjit dhe e muzikës së krijuar nga Genti Lako, që tashmë ne e dimë të gjithë se çfarë këngësh krijon.
Mendoni se ju favorizoi edhe fakti që këtë vit konkurrenca ishte më e vogël…, kishte më pak këngë dhe le të themi jo të nivelit më të lartë të këtij festivali?
Nuk di të them. Kompozitorët ishin po ata, vetëm ndryshonin këngëtarët. Kësaj here ishin më shumë të rinj, ishin pothuaj të gjithë këngëtarë të brezit tim, me të cilët unë jam rritur në skenë. Por, unë mendoj se kur gjërat duhet të ndodhin, ndodhin. U bënë shumë gjëra bashkë, bashkëpunimi me dyshen Lako-Papingji, ishte ky vit, ajo juri… Unë do ta quaja viti im dhe jam shumë e lumtur për këtë.



Një vit më parë ju fituat vendin e tretë, këtë vit të parin… e prisnit realisht?
Mendoj se gjërat vijnë atëherë kur ti je e përgatitur për to. Unë isha e përgatitur për Eurosongun si emocionalisht, edhe profesionalisht. Ndihem më e pjekur në të gjitha drejtimet për të përballuar një skenë më të madhe se ajo e Festivalit të Këngës. Sepse mund të ndodhë që çmimi të vijë, por ti nuk je e përgatitur për këtë. Mua më erdhi në momentin e duhur dhe jam shumë e kënaqur.
Si e imagjinoni Eurosongun, sepse është bukur kur e mendon së jashtmi, por kur tashmë je në të…?
Ende jam duke u mësuar me idenë që e kam fituar festivalin. Unë jetoj dhe studioj për kanto prej 5 vitesh në Romë dhe jam e mësuar me publikun europian, pasi unë atje kam një jetë artistike shumë aktive, por skena e Eurosongut ka një shikueshmëri që nuk ta jep asnjë skenë tjetër dhe është një rast shumë i mirë për artistët dhe muzikën shqiptare. Por do të më duhet ta prek atë skenë që të ndiej emocionet e vërteta. Momentalisht jam shumë entuziaste.
Mendoni se është një këngë që i shkon “frymës” së Eurosongut?
Nuk mendoj se Eurosongu ka një frymë të caktuar. Mendoj se atje pranohen dhe vlerësohen shumë emocionet e thjeshta, madje primitive do të thosha, gjërat origjinale. Nuk mendoj se ka një trend të caktuar. Kryesore është origjinaliteti dhe ne këtë e provuam me këngën e Rona Nishliut, “Suus”, një këngë shumë e kontestuar, që arriti të vlerësohet e pesta në Eurosong. Që në momentin që unë e dëgjova këtë këngë, u ndjeva e eklipsuar dhe isha e bindur se ajo do të vlerësohet. Unë shpresoj që edhe kënga ime të vlerësohet pikërisht për këto vlera.
ALMA MILE
 (Panorama)

Hersi: Është Viti Im, Isha E Përgatitur Për Fitoren

  Hersiana Matmuja - Zemërimi I Një Nate [Teksti dhe Klipi]

Komente 0