>
BIOSHQIP

(1885-1933)

Biografia
Hilë Mosi lindi ne vitin 1885, biri i Mark Mosit, qe ndër atdhetarët më të vlefshmit, që nga mbarimi i shekullit të XIX luftuan për idenë kombëtare, duke dalur nëpër male me pushkë në krah dhe duke shpërndarë në kohën e robërisë libra shqip dhe flamuj me rrezik gijotine. Vdiq në Tiranë në shkurt e vitit 1933 dhe u varros në Shkodër. Poet luftëtar e publicist, patriot dhe demokrat, figurë politike e njohur e periudhës para e pas Pavarësisë. Pjesë e brezit të dytë të Rilindësve Shqiptarë.

Përpara se Hilë Mosi duke qenë ende në moshën e re nisi të shkruante nëpër fletore shqipe vjersha dhe aty-këtu edhe proza; kështu, gjithnjë nxënës n’Austrí, bashkëveproi rregullisht n’ “Albania”-n e Konicës me pseudonimet Zog Sakoli, Sakoli, Zog Dushmani, Lirijasi, Speci etj. gjithashtu edhe ndër të përkohëshmet e kohës si “Drita” e Sofíes, “Kombi” i Bostonit, “Albania” e Beogradit, “L’Albania” e Dervish Himës, “Shpnesa e Shqypnís” e Raguzës, “Diturija” e Lumo Skëndos, “Lirija e Selanikut”, “Vllaznija” e Vjenës, “Lidhja Ortodokse” e Korçës, “Shqiptari” i Stambollit, i së cilës qe kryeredaktor, “Agimi” i Shkodrës etj. Në vjetin 1913 themeloi dhe drejtoi, bashkë me Karl Sumën dhe Risto Siliqin, fletoren e përdyjavshme “Shqypnija e Ré”, e cila e vijoi botimin deri në plasjen e luftës botërore.

Në vitin 1913 botoi në Trieste një grumbull poezish me emrin “Zâni i Atdheut”, vjersha atdhetare të përpiluara, më të shumtën, mbas frymës popullore, ku qëndron si faktor i parë malli për atdhe. Në ketë përmbledhje Mosi këndon Shqipërinë kur kjo vuante, dhe kur copëtohej prej diplomacisë së pamëshirshme evropiane, për të ngopuë lakmít e popujve fqînj. Vepërza “Lotët e Dashunís”, e botuar në vitin 1916 përfshinë një tubë lirikash me lëndë të ndryshme dhe me masa vargu gjithfarësh; një pjesë e këtyre janë originale, të tjerat janë përkthime të lira shkërbime autorësh gjermanë si Goethe, Schiller, Heine, Koerner, Lessing etj. Këtij vëllimi i bëni një botim të dytë me titullin “Lule Prendvere” duke i shtuar vjersha dhe balada të reja dhe duke përmirsuar të parat.

Në një vëllim të vogël përmblodhi në 1924 në titullin “Kangët Shqipe” disá prej vjershave të veta dhe të shokëve të vet që këndoheshin prej kryengritësve nëpër malet shqiptare në luftërat kundra Turqisë, ndër të cilat mori pjesë edhe ai vetë në malet e Shkodrës dhe të Korçës. Edhe si përkthyes penda e këtij shkrimtari njihet nëpër “Cubat” (1928) vepër e Frederik Schiller-it, të cilën e ka punuar lirisht duke ìa përshtatë gjendjes shqiptare ; nëpër “Filja” dramë tri aktesh nga Theodor Koerner-i, duke e sjellur ngjarjen në Kurbî rreth kullës së Kapitan Gjekajt; nepër komeditë e Goldonit : “Shërbëtori i dy zotnive” e “Dy Shërbëtorët”. Poezítë e Hilë Mosit me përmbajtje kombtare nuk kanë një vlerë aq të madhe artistike, por të gjitha janë të veshura me ndìesí të holla atdhetare, familjare e shoqnore, dhe meritojnë të çmohen për zgjedhjen e shprehjevet dhe për kumbimin melankolik e të thekshëm. Një meritim të veçantë për historinë e letërsisë shqiptare ka Hila për poezinë prej 138 vargjesh me titullin “Natyra” (Albania, Vit X. nr. 10-11-12, 1906, fq. 188-1919 në të cilën takohet prova më e parë e përshtatjes së heksametrit në shqipen, provë e cila ká dhënë nji përfundim të pëlqyeshëm.