>
BIOSHQIP

Inva Mula, E Shokuar Nga Lumturia

02-05-2012
Inva Mula, sopranoja e famshme shqiptare, ka përjetuar dje për herë të dytë ndjesitë e të qenit nënë. Pas më shumë se 15 vitesh, ylli i operave më të mëdha botërore ka sjellë në jetë një vajzë.

Në një intervistë të veçantë për "Gazeta Shqiptare", Inva Mula ka treguar emocionet e kësaj dite, reagimet e të birit dhe bashkëshortit, Et'hemit, i cili i ka qëndruar gjatë gjithë kohës tek koka dhe ka vendosur që vajza e tyre të mbajë emrin Nina, siç nëna e ndjerë e këngëtares quhej, duke i bërë kështu dhuratën më të bukur asaj.

Një tjetër detaj interesant që sopranoja ka ndarë me ne ka qenë edhe surpriza e miqve të ngushtë. Klinika "Rue Nicolo", në të cilën ka lindur edhe fëmija i çiftit Sarkozy, është kthyer dje në një arenë festive...Si asnjëherë më parë në këtë klinikë, në radhën e pritjes nuk qëndronin 3, as 4, por plot 20 vetë.

Miqtë e afërt të sopranos, mes të cilëve dominonin ata me origjinë shqiptare, kanë zaptuar klinikën dhe sapo Inva ka dalë nga salla e lindjes i kanë kushtuar asaj një këngë të improvizuar në moment me titull "Elle est neé la petite Nina" (Lindi Nina e vogël).

Zonja Mula, cilat janë ndjesitë që ju kanë shoqëruar në këtë ditë të veçantë. Jeni bërë nënë për herë të dytë, pas më shumë se 15 vitesh...
Vajza erdhi si një mrekulli që s'e imagjinoja se mund të ndodhte. Jam ende nën shokun e lumturisë dhe më shumë se sa gëzim nuk kam ç'shpreh tjetër.

Babai juaj është prekur shumë kur ka mësuar që vajza do të mbajë emrin e nënës suaj.
Ishte një surprizë në fakt për të, sepse unë nuk i kisha treguar. Kjo, edhe për faktin se nuk e kishim menduar shumë më parë. Zgjedhja e këtij emri erdhi si pasojë e situatave që ndodhën në jetën tonë. Është një refleksion i faktit që brezat po ripërsëriten dhe unë jam shumë e lumtur. Nina Mula ishte një grua e rrallë, e mrekullueshme, një nënë e shkëlqyer dhe unë shpresoj shumë që Nina e vogël t'i ngjajë sadopak gjyshes së vet.

Bashkëshorti juaj si ka reaguar?
Et'hemi ka qenë gjatë gjithë kohës me mua. Është gëzuar shumë natyrisht, dhe zgjedhjen e emrit të vajzës e ka bërë pikërisht ai. Ai vendosi që vajzën ta quajmë Nina dhe kjo është dhurata më e bukur që më ka bërë.

Kujt i ngjan më shumë vajza?
Ajo është vetëm disaorëshe dhe nuk mund të flasim ende për ngjashmëri. Gjithsesi, ne mundohemi ta gënjejmë veten, të gjejmë ndonjë tipar të ngjashëm. Nina e vogël ka marrë shumë edhe nga gjyshja e saj.

Po Anthony çfarë tha kur e pa motrën?
Anthony ishte në shkollë dhe e njoftova unë gjatë orarit të pushimit. Sapo e mori vesh lajmin, mori leje dhe erdhi në klinikë për të më vizituar mua dhe vajzën, duke na bërë edhe një surprizë. Ishte shumë i emocionuar, i befasuar mund të them. E përkëdhelte plot dashuri të motrën.

Kam bindjen që keni marrë shumë urime…Ndonjë që spikati?
Gjatë gjithë ditës nuk më ka pushuar celulari nga mesazhet dhe telefonatat e miqve. Më kanë uruar shumë. Disa prej tyre kishin ardhur në klinikë dhe kjo shkaktoi sensacion tek ekipi i mjekëve. Në kohën kur unë u zhvendosa në dhomë, korridori u pushtua nga miqtë e mi, ishin mbi 20 dhe thuajse 80% e tyre ishin shqiptarë. Kjo për mjekët ishte një befasi, sepse janë mësuar që në të tilla raste vjen vetëm bashkëshorti dhe maksimumi 2 nga familjarët. Habia iu shtua edhe më shumë kur ata nisën të më këndojnë një këngë, të cilën e kishin krijuar gjatë kohës që qëndronin në pritje. "Elle est neé la petite Nina" (Lindi Nina e vogël), thuhej në këngë.

Kush nga familjarët ju ka qëndruar pranë?
Ime motër ka ardhur nga Tirana së bashku me nipin.
Kur do të vini në Tiranë, pasi dimë që ju shumë shpejt filloni edhe koncertet?
Nuk mund të jap një datë decizive. Me rëndësi në këtë moment është që unë të marr veten, sepse shumë shpejt do të më duhet të nis koncertet, datat e të cilave janë caktuar tashmë. Uroj që të ndodhë sa më shpejt.

Ju falënderojmë shumë dhe ju urojmë jetë të gjatë juve dhe Ninës së vogël.
Faleminderit shumë dhe juve!
(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Inva Mula, E Shokuar Nga Lumturia