>
LETERSISHQIP

Je Mërzitur Me Mua

Ndoshta ti je mërzitur me mua
vërtet s’të vë faj, u bë kaq kohë,
shpesh kam qarë në gjoksin tënd
e mbytur në mërzi, në lot.

Dhe pas çdo takimi pyetja:
“Kur do të shihemi sërish?”.
Në këtë qytet të mekur nga vapa, fjalët
të rralla takimet tona, sigurisht.

Ndonjëherë kthej kokën të vështroj
në çastin kur je larguar nga unë,
ti nxiton, unë nuk dua ta kuptoj
se s’mund të të kem pranë vetes, si dikur.

Sepse më pëlqen të të jepem vetëm ty,
të flas si e marrë, të qesh, të qaj,
të futem në një botë të pakapshme,
të provoj ndjesi që askush tjetër s’m’i fal.
Nga libri me poezi: “Këtë natë me ty”, 1999