>
BIOSHQIP

Vaso Tole: Laver Bariu Vajtonte Me Kaba Vëllezërit E Vrarë

27-01-2014
“Ustain e donim, nga njeriu i thjeshtë tek ish-diktatori që i shkroi edhe një letër”

U nda nga jeta në moshën 86-vjeçare mjeshtri i klarinetës, Laver Bariu, njeriu që e ktheu në monument kabanë shqiptare. Artisti ndërroi jetë dje në mesditë, në qytetin e tij, në Përmet, të cilit do t’i mungojë një pjesë e shpirtit të tij, itinerari i përditshëm i ustait, rrugëtimi drejt së njëjtës kafene, urtësia dhe talenti natyror i njeriut, që e donin të gjithë. Muzikologu akademik Vasil Tole e ka njohur qysh fëmijë. Të gjitha kujtimet nga qyteti i tij i fëmijërisë lidhen patjetër me usta Laverin. “Në Përmet ne kemi Vjosën, gurin e qytetit dhe Laver Bariun”, thotë Tole, teksa shpreh ngushëllimet, jo vetëm për familjen, por për gjithë kulturën shqiptare që humbi një artist të madh. Tole kujton bisedat me ustain, arsyet pse ai është i veçantë dhe merakun e tij të fundit.

E keni njohur prej vitesh usta Laverin, si e kujtoni?
Jo, jo shumë vite… E kam njohur që 7 vjeç. Në Përmet ne kemi tri gjëra: Vjosën, Gurin e qytetit dhe Laver Bariun. Pra aq e fortë është fuqia shpirtërore e muzikës së tij, sa që krahasohet me fenomene dhe pasuri natyrore të zonës.
Çfarë e bënte atë të veçantë?
Ustai me mençuri diti të mblidhte rreth vetes pasurinë muzikore të zonës së Jugut, të shpërndarë që nga Korça në Vlorë. Atë pasuri muzikore të para viteve ’40, e cila kishte nevojë të formësohej. Mbi 90 për qind e repertorit të tij ishte i shpërndarë dhe ai e mblodhi dhe e identifikoi si muzikën qytetare të Përmetit, Korçës etj. Ai bëri që gërneta të tingëllonte shqip. Ustai nuk kishte një kulturë akademike, nuk kishte asnjë lloj shkollimi, por vetëm përmes intuitës dhe talentit të tij arriti të lartësojë traditën e deriatëhershme, nga viti 1900 kur klarineta ka hyrë në Shqipëri, deri në vitet 1945, kur ai nisi të interpretonte, ta kthente në një gjuhë identitare, ta kthente këtë instrument europian në një instrument popullor shqiptar. Ai është reformator i kabasë me saze. Janë me dhjetëra vlerësimet që ai ka marrë nga muzikologë të huaj. Ai u bë promotor i muzikës në të gjithë vendin. Ai çoi muzikën e Jugut në Veri e të Veriut në Jug. Një tjetër veçanti e tij ishte që nuk u nda asnjëherë nga Përmeti, jo thjesht në kuptimin fizik, por edhe për faktin që muzika që ai trashëgoi ishte ajo e rrethinave, e fshatrave të Përmetit dhe ai e evidentoi dhe e mediatizoi me grupin e sazeve të tij.
Ju thatë që ai nuk kishte shkollim, e megjithatë ai ishte një mjeshtër i jashtëzakonshëm, si është e mundur?
Në korrik-gusht të vitit 1991 ne kemi qenë në Korsikë dhe kudo u hap lajmi që kishte ardhur një mjeshtër i madh. Erdhën dhe i bënë intervista Laverit dhe një ndër pyetjet ishte: Ku e keni bërë konservatorin? Dhe Laveri që më pyet: Ç’është Konservatori? Shkolla i them. Aaaa, po ç’shkollë kam bërë unë! Turuliçkën kam bërë. Në anët tona kjo fjalë do të thotë humbëtirë, diçka boshe dhe të nesërmen titujt dolën: “Mjeshtri i Konservatorit të Turuliçkës…”. Nuk e di, ai ishte një talent i pakontestueshëm. Atë e donin të gjithë që nga njeriu i thjeshtë te diktatori, që një herë i shkroi edhe letër.
Por duhet të ketë pasur një sekret, apo jo?
Familja e tij i kishte dhënë dy dëshmorë Luftës Nacionalçlirimtare dhe i çuditshëm është fakti që ai vdiq pikërisht më 26 janar, kur edhe është formuar Brigada VI Sulmuese, ku edhe kanë rënë dëshmorë dy vëllezërit e tij. Në një nga ato bisedat e gjata që ne bënim shpesh, ai më tha: “Për të mësuar se ç’ishte kabaja, duhet të më vriteshin dy vëllezër në luftë”. Sepse kabaja është vaj, është dert, duhet ta ndjesh.
Një nga ustallarët do të më thoshte një herë një shprehje: Laveri luan si ne të gjithë, kurse asnjë nga ne nuk luan si Laveri. Ai ishte një tërësi vlerash, por ishte një zë i veçantë, si asnjë tjetër.
Çfarë e shqetësonte? Mori me vete ndonjë peng?
Ai ishte shumë i shqetësuar për trashëgiminë. Ai donte të ishte i sigurt që të linte klarinetistë pas vetes. Nëse në kohën e tij ishin rreth 18, sot janë vetëm 2 në Përmet. Gjithnjë më thoshte: Po ç’bën more Vaso, a jeni në terezi, përse nuk mësoni klarinetistë të rinj! Kjo humbje duhet të na vlejë edhe për të ngritur një debat për ruajtjen e trashëgimisë së tij. Fatmirësisht është regjistruar dhe janë të sqaruara vlerat e tij. Por, ajo që ne duhet të bëjmë është që të njëjtën vëmendje që i kushtojmë trashëgimisë kulturore materiale, t’ia kushtojmë edhe asaj shpirtërore. Ashtu si investohet për restaurimin e monumenteve të kulturës, duhet investuar për mbajtjen gjallë të grupeve muzikore, të instrumenteve, të ushqejmë kulturën muzikore nëpër shkolla etj.

Artisti
Laver Bariu lindi në Përmet më 2 maj 1929. Që i vogël pati një dhunti natyrale për t’u marrë me veglat muzikore të thjeshta, të cilat i sajonte vetë nga degët e pemëve apo edhe nga kallami i grurit etj. Për herë të parë luan në gërnetë së bashku me të atin, i cili e shoqëronte me llautë vallen e “Dados”. Kthehet familjarisht në Përmet në fund të vitit 1944. Vite më vonë organizon grupin e tij, me të cilin mori pjesë edhe në Festivalin e parë Folklorik Kombëtar, Tiranë 1952, në të cilin ai vlerësohet me çmimin e parë si instrumentist popullor. Në 1954 bën regjistrimin e këngës së parë me saze, në 1957 regjistrohet si saze nga ekspedita shqiptaro-gjermane e paskëtaj në 1966 regjistron në Radio Tirana, veç të tjerash, edhe tri kaba përmetare me klarinetë, për ta vazhduar punën cilësore me sazet e tij për të gjithë kohën. Ka marrë pjesë në të gjitha festivalet folklorike lokale dhe ato kombëtare. I paharrueshëm interpretimi i tij në filmin “Gjeneral gramafoni” në 1977, me regji të Viktor Gjikës, ku ishte klarineta e usta Laverit që interpretoi të gjitha pjesët që në film luhen nga Halit Berati (Bujar Lako). Në mars të 2001 dekorohet nga Presidenti i Republikës me urdhrin “Mjeshtër i Madh i Punës” dhe gjithashtu u shpall “Qytetar Nderi” i Përmetit.

Kryeministri Rama: Një talent natyral që meriton mirënjohje
Pas publikimit të lajmit për ndarjen nga jeta të artistit Laver Bariu, Kryeministri Edi Rama i ka shprehur ngushëllime familjes së mjeshtrit. Në një postim në rrjetet sociale “Facebook” dhe “Twitter” Rama vlerëson figurën e tij, duke e konsideruar një talent të madh natyral që meriton mirënjohje. “Laver Bariu s’është më! Talent i madh natyral që meriton sot mirënjohjen tonë për ç’na dha dikur me instrumentin e tij… Ngushëllime familjes!”, shkruan Rama.

Ministrja Mirela Kumbaro: Të gjithë do të ikim, Laveri mbetet
Një mesazh ngushëllimi edhe nga Ministria e Kulturës dhe ministrja Mirela Kumbaro. Në faqen e Facebook-ut të Ministrisë, bashkë me një kaba të interpretuar nga instrumentisti, ishin shkruar edhe këto radhë: “T’u bëftë dritë udha e ikjes Mjeshtër Laver Bariu! Më mirë se kabaja jote rrëqethëse nuk mund të ketë vajtim më të bukur. Faleminderit për emocionet që na dhurove! Të qoftë i lehtë dheu!”. Ndërsa Ministrja Mirela Kumbaro shkruan: “Laver Bariu iku, ne do të ikim një ditë gjithashtu, por ama, Laveri, Ai, do të mbetet!”.
(ALMA MILE)

Vaso Tole: Laver Bariu Vajtonte Me Kaba Vëllezërit E Vrarë