>
BIOSHQIP

Lori: Nuk Jam Tip Që Pendohet Shpesh

12-08-2012
Loreta Kaçka Lori është një këngëtare mjaft e suksesshme dhe e kërkuar kudo. Tani në këtë sezon ajo është mjaft e angazhuar me mbrëmje muzikore si dhe nëpër dasma e ahengje të ndryshme gazmore. Ajo projektet e reja muzikore planifikon t'i nisë kah muaji shtator. Ndërkaq, sa i përket jetës private vazhdon të jetë singël. Pushimet verore ende nuk i ka vendosur se ku do t'i kalojë, dhe tani në këto ditë ajo po mendon vetëm për argëtimin e adhuruesve të saj. Për më shumë rreth punës dhe jetës private flet Lori për "Zëri". - Cilësoheni si njëra nga këngëtaret më të kërkuara nëpër dasma e ahengje të tjera, çfarë po të sjellin këto ahengje, po ndahesh gjithnjë e kënaqur? - Edhe këtë vit sikurse çdo vit tjetër në sezonin e verës jam shumë e angazhuar. Thuajse në çdo dy apo tre ditë jam e kontraktuar për të kënduar në dasma e ahengje të ndryshme gazmore. Sa i përket punës natyrisht se po lodhem bukur shumë, por në anën tjetër po arrij të kënaqem me adhuruesit e mi, të cilët i kam kudo që shkoj. Thënë të drejtën deri më tani jam ndarë e kënaqur me të gjithë që më kanë ftuar, uroj që këtë sukses ta kem edhe më tej sepse me të vërtetë është një emocion mjaft i madh nëse të duartroket dhe të kërkon publiku. - Ke kënduar ndonjë këngë që nuk të ka pëlqyer por që ta ka kërkuar publiku? - Në realitet publiku gjithnjë kërkon këngët që unë i pëlqej, janë këngë të përzgjedhura nga ta por që bëjnë pjesë në reportoarin tim. Por ka edhe këngë të të tjerëve që publiku kërkon t'i këndoj dhe padyshim se ua plotësoj kërkesën e tyre. - Kërkoni shumë për të kënduar në një dasmë, apo thënë më mirë sa kushton një mbrëmje e juaja? - Nuk renditem në këngëtarët që kërkojnë shumë apo janë të shtrenjtë. Unë kënaqem me pak dhe më mjafton një shumë solide sa për të realizuar projektet e mia muzikore dhe për të jetuar një jetë normale si të gjithë të tjerët. - Kush është sponsor i juaji? - Sponsor nuk kam, jam tip i pavarur dhe dua që të gjitha gjërat t'i bëjë vetë. Kam pasur dhe vazhdoj të kem shumë pjesëmarrje në gazmende familjare, fitime nëpër mbrëmje muzikore dhe kështu që fitoj mjaft sa për të investuar në karrierën time. - Nga një verë e lodhshme dhe me shumë angazhime, keni menduar për pushime verore? - Padyshim se pas një lodhjeje të madhe duhet të bëhet edhe një pushim, mirëpo thënë të drejtën ende nuk kam vendosur. - Ku dhe me kë do t'i kaloni pushimet? - Pushimet besoj se do të jenë kah fundi i muajit shtator, besoj se do të jem diku jashtë. Do të bëj edhe një pushim te familja ime në Itali. - Ka diçka të re në jetën tuaj sentimentale? - Jo, asgjë të re nuk ka, për momentin më intereson karriera ime, edhe pse ardhja e dashurisë është e mirëseardhur (qesh). - Për çfarë pendoheni në jetë? - Nuk jam një tip që pendohem shpesh, por megjithatë ka raste edhe kur pendohem ndonjëherë. - Çfarë është më e rëndësishme për ju në jetë? - Më e rëndësishme për mua në jetë është familja, dua që në të ardhmen të krijoj një familje të shëndoshë. Kjo është gjëja që s'e kam, ndërkaq të tjerat i kam. - Diçka për fund? - Adhuruesve iu them se ju dua shumë, ndërsa lexuesve të gazetës "Zëri" lexojeni sa më shumë sepse është më e mira.
(K. Bajrami / zeri)

Lori: Nuk Jam Tip Që Pendohet Shpesh