>
BIOSHQIP

Malda Susuri, Pas 9 Vjetësh Remixi I Këngës “Dashuri E Hidhur”

01-09-2014
Malda Susuri, ka pak kohë që ka publikuar videoklipin e saj më të ri të remix-it të këngës "Dashuri e hidhur", këngë me të cilën ajo u paraqit vite më parë në Top fest. Për teksteshqip.com rrëfehet ekskluzivisht Malda rreth këtij projekti të ri që ka sjellë në treg. TeksteShqip: Malda, keni publikuar remixin e këngës "Dashrui e hidhur". Mund të na flisni pak më shumë rreth këtij projekti? Pse vendosët ti bëni një remix kaq vonë kësaj kënge, pas 9 vjetësh...? Malda: Me këngën "Dashuri e Hidhur" para plot 9 vjetësh në edicionin e tretë në festivalin "Top Fest", u shpërbleva me çcmimin Best New Artist. Përderisa jam duke punuar në disa këngë dhe projekte të reja, mendova që edhe ato që i kam realizuar më herët t'i rikthej. Pasi që u konsultova edhe me bashkëpunëtorët e mi vendosa që të jetë pikërisht kënga ime e pare ajo e cila do të riaranzhohej në versionin remix. Kjo përshtatej edhe me sezonin veror duke qenë se ky perpunim baladen "Dashuri e hidhur" e sjellë në version më ritmik. TeksteShqip: Na trego diçka për klipin? Është tejet i veçantë, ju nuk shfaqeni fare në klip...? Malda: Klipi është xhiruar përkitazi me permbajtjen e tekstit. Fokusi mbetet në vetën e parë dhe i tërë klipi është në këtë frymë. Një shetitje e zakonshme nëpër rrugët e qytetit tim, Prizrenit, është ajo që më bën të ndjehem e lirë, e këtë nuk e perjetoj vetëm unë, por cdo qenie njerëzore në botë. Disa momente cliruese në një kohë dinamike dhe me shumë stres është më se e nevojshme. Në këtë pikë, kam insistuar që klipi të shetisë nëpër pikat kryesore dhe më të bukura të Prizrenit, duke dashur kështu edhe ta promovoj atë me tërë vlerat që ka. Klipi po ashtu bart në vete mesazhin për sensibilzimin e shoqerisë shqiptare në mbrojtjen e mjedisit. Sic shihet edhe në klip, një pjesë është xhiruar nëpër bjeshkët e Sharrit, trojet shqiptare kanë natyre shumë të bukur dhe për mua është e papranueshme degradimi qe po i behet prej kohësh natyres sonë. Kësaj duhet t'i jepet fund. E për të gjithe ata që janeë të interesuar se kush është vajza ambientaliste me biciklete, ajo është Engji, motra ime më e vogel.



TeksteShqip: Pse zgjodhët VissoundMedia për këtë bashkpunim? Malda: VSM edhe pse ka nisur të punoje vetem që dy vite, kanë arritur sukses të madh në tregun e produksionit. Duke parë seriozitetin dhe profesionalizmin e tyre në punë vendosa që të bashkëpunoj me ta. Më duhet të theksoj se gjatë tërë kohës prej kur kemi diskutuar për herë të parë ndonjë formë të bashkëpunimit e deri në publikimin e klipit, ka mbretëruar një energji shumë pozitive dhe ekipi i tyre është i jashtëzakonshëm për cka edhe i falenderoj. TeksteShqip: Cilat do të jenë projektet tua të ardhshme pas këtij videoklipi? Malda: Në fakt, sic edhe e përmenda, jam duke punuar në disa projekte të reja. Këngë të cilave do t'u realizoj edhe klipet. Ende nuk kam vendosur se cilen kënge kur do ta publikoj, por vetem mund të them se këtë vjeshtë do të jem mjaft prezente në skenë. TeksteShqip: Je paraqitur mjaft shpesh në festivale? Do vazhdosh ta bësh akoma? Malda: Nuk do të kisha thënë që mjaft shpesh, megjithatë, kam deshirë që kohë pas kohe t'u kthehem festivaleve. Kjo edhe për arsyen ngase kam rastin të takohem më shumë kolegë dhe bashkëpunetorë me të cilët bisedojmë për projekte të perbashkëta. Varesisht se me cilin projekt do të paraqitem do të vendosi edhe në cilin festival të marr pjesë. TeksteShqip: Malda, kaq vite në skenë, akoma pa edituar një album? Do ta kemi mundësinë të shohim në të ardhmen? Malda: Nuk jam shumë e dhënë pas albumeve, por kjo nuk do të thotë që pas një periudhe ta publikoj një.



TeksteShqip: Kthehemi pak te jeta prviate. Dimë që punoni si skenografe në KTV. Vazhdoni të punoni... Malda: Po, vazhdoj të punoj në Kohavision, vetem një përmirësim të vogel, jam në sektorin e videografikes. Jam shumë e kenaqur aty dhe ambienti është shumë i këndshëm. TeksteShqip: A është Malda single..? Malda: Jeta ime private mbetet "jeta ime private". TeksteShqip: Jeni vajza e kreatores së njohur Suzana Susuri. Sa ju ndihmon ajo në përzgjedhjen e veshjeve ,ë klipe, koncerte, mbrëmje muzikore etj...? Malda: Nëna ime është gjithmonë prezente në paraqitjet e mia. Dhe natyrisht që mjaft shpesh paraqitiem me veshjet e saj në skenë, por edhe nese nuk janë të saj, atëherë patjetër që konsultohem ekskluzivisht me të. Meqë edhe m'u dha rasti ta permend nënën, ajo tashmë është në pergatitjet finale të koleksionit të saj, për të cilin i ndihmoj edhe unë me aq sa mundem. TeksteShqip: Malda të falenderojmë që ishe me ne në intervistë. Për fund dëshiron ti përshëndesësh lexuesit.... Malda: Ju falenderoj juve për mundësinë që t'u drejtohem lexuesve tuaj, e lexuesit tuaj i falenderoj për vemendjen për ta lexuar deri në fund intervistën. Uroj për të gjithë që të shmangim sa me shumë gjerat dhe momentet që nuk na bëjnë të lumtur, e t'i kushtojmë më shumë rëndësi familjes, miqve, e t'i ndalim paragjykimet dhe keqkuptimet mes vete.
(B.A/Teksteshqip.Com)

Malda Susuri, Pas 9 Vjetësh Remixi I Këngës “Dashuri E Hidhur”