>
BIOSHQIP
Biografia
Ai është një njeri i artit të skenës, i njohjeve dhe kontakteve miqësore që nga korifejtë Agolli dhe Kadare, gjer tek pasionantet e artit, artistët e niveleve më të ulta, po njëkohësisht ai është njohës i shkëlqyer i trevës së Tropojës, folklorit të saj, figurave të këtij folkori gjer tek artistët virtuozë, siç është këngëtarja me zë të ëmbël e të kulluar, Fatime Sokoli, të cilës ai ia kushton librin “Bilbilja tropojane" duke dëshmuar kështu jo vetëm homazhin për këtë artiste të shquar, po edhe mundësitë e veta për ta trajtuar në një plan të mirëfilltë këtë figurë. Veçoria kryesore e këtij artisti është se ai komunikon çiltër, shprehet, lexon dhe është i intonuar me realitetet sociale, filozofike, një ndjekës me lexime i poezive dhe artit në përgjithësi dhe në veçanti i saktë e kurajoz me atë që thotë, duke dëshmuar atë cilësi që duhet të jetë primare për një poet, sinqeritetin dhe kurajon për tu shprehur larg shtirjes dhe megallomanisë të shumë njerëzve të cilët duke menduar se janë primarë, e ndjejnë si bezdi të shprehen për shokun, dhe të bëjnë vlerësime. Marash Mëhilli ka luajtur një rol të mirëfilltë në trevëne Tropojës, duke qenë shpesh promotor i përkrahësve të talenteve të rinj, duke organizuar koncerte e manifestime kulturore në ato vite, ishte një kohë kur Fierza tërhiqte shumë artiste, shkrimtarë, kompozitorë, dhe afërmendsh, kontaktet me artistët e rrethit ishin të përditshme e miqësore. Të gjithë këta artistë u bënë miqtë e tij se ai u afroi atyre bujari, përkrahje dhe vlera të rralla të malësorit, të cilat gdhendin shenja mirënjohjeje, sado që vitet të bëjnë punën e tyre. Marash Mëhilli e ka kërkuar jetën, horizontet e saj dhe një dritare më vete përbën edhe emigracioni për të. Këto të gjitha janë pasyruar në librin “Spikamë", një publicistikë e shqetësuar dhe miqësore, me intervista me poetë dhe krijues shqiptarë të Athinës, siç ishin dhe janë PiroLoli, Foto Malo, Primo Shllaku, Miho Gjini, Mihallaq Qilleri, Hiqmet Meçaj, etj, si dhe artikujt e tjerë të botuara në Gazetën e Athinës. Vemë re se në këto shkrime, intervista, nervin e poetit dhe artistit, i cili ndonëse në dhe të huaj flet për problem shqiptare, ai e merr atdheun me vete, dhe s`ka sesi të ndodhë ndryshe, sepse fati i emigrantit artist është fati i vështirë si fati i çdo emigrant, po më i vështirë bëhet ai kur ky emigrant është poet, sepse poeti nuk mund ta pranojë braktisjen e atdheut dhe kur është larg e strehon atdheun në poezinë dhe falën e vet. Në këto intervista spikat një kulturë e gjërëdhe autori na sjellë një panoramë gjithësesi të plotë të kulturës dhe letërsisë shqiptare në Greqi, në këto 20 vite të fundit. Në shkrimet e tij bie në sy trajtesa atdhetare, shqetësimi për Kosovën, sjellja në sofër të trajtimit e figurave atdhetare, identiteti krahinor, Nikaj- Mërtur, po edhe kombëtar, rrënjët e palëkundura të etosit kombëtar, po njëkohësisht edhe kulturimi dhe manovrimi me fjalën e mençur duke plotësuar harmonishëm tablonë e jë artisti në kërkim të rritjes së shtatit të vet, po edhe të etnisë dhe mençurimit e maturimit para fjalës. Si i tillë unë kam mësuar nga ky libër, sepse autori ka sjellë përmes pyetjeve"provokuese", në intervistat e veta edhe mençurinë e mendimet e shumë poetëve të tjerë, dhe fjala e çdo njeriu të letrave që lexon, sadopak, është një mundësi më tepër për të hapur një shteg për çdo lexues ose njeri që do letërsinë. Në librat e tij ai i bën një kronikë artistike kohës dhe mbetet një krijues me gjurmët e veta, po që gjurmët e veta kërkon t`i ndriçojë jo vetëm me veten po edhe me dritën që hedh për të tjerët dhe kështu ai fiton gjithnjë e më shumë, sepse nukmund të ketë krijues të vërtetë të veçuar pa u integruar në një domethënie më të gjërë sociokulturore sesa vetja e vet, ekëtë Marashi e ka ndjerë qoftë me intuitë, qoftë me forcë karakteri dhe pastërtinë e një shpirti të hovshëm dhe të qëndrueshëm prej artisti të fjalës dhe të skenës. Është e vështirë që brenda një shkrimi të bëhet një domethënie analitike për katër libra, ndaj preferova që pas një ekspozeje të ndalem në librin: "Një kupë Egjeu", poezi, prozë, me një parathënie nga prof. dr. Anton Papleka. Poeti pasi i ka parë kupat e kristalta të bjeshkëve, kupat e një jete rinore dhe të vrullshme me trazimet e jetës dhe sistemit, tani shkon të pijë një kupë në Egje. Kemi një bredhje të metaforës, një ngjizje të saj se këtë kupë ai duhet ta pijë me filozofët, me poetët grekë, po edhe me brengat e mërgimit, mbushur plot. Dhe pasi ta ketë pirë kupën, tani i duhet ta derdhë në vargje të ngrohtë e të thjeshtë përmes një poezie sa transparente dhe të ngrohtë në faqet e librit të vet me poezi dhe prozë. Kështu metafora mbart trandeshencën e shpirtit dhe shpirti mbartet perms saj duke krijuar një sintoni të plotë me vetveten dhe me dimensionin e figurës që krijohet që në titull. Këtu poetin e tërheqin motivet me sfond ose të konkretizuar përmes figurave të mitit, po njëkohësisht edhe kujtesa e Tropojës. Nuk është një dyzim, një nevojë për të dalë nga një shtrat për të hyrë në shtratin tjetër, përkundrazi është një nevojë për rritje dhe zgjerim të mushkërive motivore që e bëjnë poetin të mos ndihet i qetë si dhe të kërkojë, as të mos çuditet, sepse ai vjen nga një vend i eposit, mbushur me mite siç janë bjeshkët e Namuna, ose treva e tij, Nikaj –Mërturi, atje ku e ka vendlindjen edhe Eposi ynë Kombëtar. Siç thotë Anton Papleka: "Madhështia e kulturës helenike, asnjë rast nuk e bën të ndihet inferior për preardhjen e tij, apo ca më keq ta fshehë atë". "Tokën e Akejve e përshkova/Ullinjores kodër më kodër/Zë i prajshëm nga Tropoja/Unë i lindur në Vrajë të vogël/". Në këtë vellim historia tradita bashkëkohësia, mërgimi, kultura, miti dhe urtesia e filozofisë shkrihen dhe bëhen një me shpirtin e poetit, ato janë një vetëdijësim kohor i një poeti, të cilin ndërrimi i hapësirës nuk e bën të tëhuajzohet, përkundrazi të bën të kthjellohesh më tepër dhe të sjellësh më shumë në dije se formatimi i vetvetes nuk mund të bëhet pa parë prapa se nga vjen dhe cili je. Dhe këtu dalin mjaft poezi për figurat e historisë emra njerëzish dhe peizazhe shpirtërorë që shkrihen dhe bëhen një, që kalojnë përmes shqetësimit poetik të poetit jo nëpërmjet filtrit të meditacioneve të gjata mbi ekzistencën e qenies njerëzore, po përmes konkretësisë së detajit i cili stimulon natyrshëm krenarinë për paraardhësit dhe bashkëkohësit duke sjell në vëmendje vlerat e larta të virtytit njerëzor. Dhe pjesa e parë e librit mbyllet me poezinë: "Burrat e Nikajve". Citojmë: "Aktorë dramash me mbretër e krajla, /Te Qafa e Kolçit e te Rozafa.", më tej: "Ata nuk kanë buste janë kryefjalë, /Ata i ka lahuta, kujtesa e gjallë"/. Autori i sjell si një evokim ne motivet, po edhe si të tashme dhe në një shkrirje të tillë nuk ka ligështi, po krenri hov e përpjekje, as nevojë për identifikim, sepse ai tashmë e ka pasaportën evet identitare shqiptare, përkundrazi një timbër epik i shkrirë me lirikën e dhimbjes dhe nevojës për të dalë nga harresa, përbën mundësinë që na sjell më tepër melodicitet harmoni e përpikmëri fjale pa ngarkesa që nuk duhen në poezinë e Marash Mëhillit. Kjo, natyrisht është shenjë formimi personal, talenti, po edhe shenja e krijuesit të pastër e kurajoz për ta thënë fjalën e për ta mbajtur për vete si shenjë identifikimi ndër të tjerë. Këto tonalitete të poezisë së tij bëjnë që edhe figuracioni artistik të priret nga një vendosje në vend të vet të metaforës, krahasimit, epitetit, simbolit, pa ndjerë sforco në vetvete dhe pa luajtur nga vendi. Si e tillë në poezinë e tij sikur po pi vesë nga kupat e luleve, apo pjalm nga to, duke ndjerë përreth zukatjen e bletëve në çeltinat malore të bjeshkëve tona. Ajo është e rrjedhshme dhe e pastër si gurgullima e përrenjve malorë që vërshojnë në krahinën e tij dhe derdhen në Dri. Në pjesën e dytë të librit: proza, është përvijuar me portrete dhe histori të ndryshme, të gjitha në këndshikime personale që interferojnë fate njerëzish dhe vlera të njëkohshme dhetë gjithëkohshme të tyre, Në prozën e tij autori sjell elemente jetësore, përdor emra realë, sjell përvoja dhe mbresa, stigmatizon, ironizon, sjell mesazhe dhe janë pikërisht këto mesazhe që mbartin nevojën e shprehjes dhe kuptimit tëtyre përmes rrëfimit. Për krijimtarinë e Marash Mëhillit janë shprehur Anton Papleka, Foto Malo, Iliaz Bobaj, Mëhill Ndrepepaj, Murat Gecaj, Robert Goro, Spiro Xhavara, Thans Boçi, Zeqir Lushaj, etj. Krijimtaria e Marash Mëhillit përbën në vetvete tharmin e një krijuesi tropojan, i cili asnjëherë nuk e fsheh burimin, as mundohet ta mistifikojë; e një krijuesi që ka ecur nëpër një rrugë drejt kërkimit të fjalës dhe të së bukurës, që zotëron në vetvete një përvojë dhe dituri, që vargun dhe fjalën e gdhend me çiltërsi dhe tenton nga qartësia përmes verbit të thjeshtë, një verb që ka të injektuar natyrshëm muzikalitetin dhe embëlsinë e vargut popullor, po kurrë pa rënë në banalitete rapsodike, sepse Marash Mëhilli e ka të zhvillur shijen e kultivimit prej artisti dhe shartesa e tij me folklorin dhe inspirimi prej gurrës popullore nuk bëhet me sforco, po në mënyrë të natyrshme./QAZIM SHEHU