>
BIOSHQIP

Miriam Cani Sjell Klipin E Ri “Shiu Im”

12-06-2014
Këngëtarja Miriam Cani sapo ka publikuar klipin e këngës së saj më të re "Shiu Im". Ajo u shpreh se ka zgjedhur të bashkëpunojë sërish me producentet Alex James dhe Harry Sommerdahl, që realizuan edhe këngën e saj të mëparshme "Labirint".



Me tekst të partnerit të saj në jetë, këngëtarit Alban Skëndëraj, kënga dhe klipi janë realizuar në dy versione- shqip dhe anglisht- nën ritmin pop/rnb. Xhirimet janë realizuar në Shqipëri me Max Production, ndërsa për veshjen e këngëtares është kujdesur stilistja Miranda Dupi.



"Elementi kryesor i këngës "shiu" vjen ndryshe nga ç'jemi mësuar. Nuk është e lidhur me situata të trishtueshme apo negative, por në këtë rast shiu/uji janë jeta, energjia, sidomos në ditë të nxehta kur ai të ringjall" thotë Miriami.



Lidhur me projektet të tjera muzikore, këngëtarja pohoi se po punon intensivisht me produksione të reja këngësh, të cilat janë gati, por që dëshiron t'i realizojë në Suedi dhe Gjermani duke thënë "Po konkretizojmë disa ide, që mund të realizohen deri nga fundi i vitit por që për momentin preferoj t'i lë suprizë”.



Ndërsa për jetën e saj private po flitet shumë kohët e fundit. Më herët, Miriam Cani dhe Alban Skënderaj do të mbushnin faqet e gazetave për propozimin për martesë që ky i fundit i bëri këngëtares gjatë pushimeve në ishujt Maldive dhe që atëherë është përfolur edhe për ceremoninë e tyre e martesës. "Kemi disa impenjime private që do të na kushtojnë goxha kohë si këtu ashtu edhe në Gjermani" pohoi Miriami për Anabel, pa dhënë më shumë detaje nëse i referohet martesës apo jo.
(anabel)

Miriam Cani Sjell Klipin E Ri “Shiu Im”