A B C D E F G H I J K L M N O P Q R S T U V W X Y Z #

Jam-Jam-Jam

Fund e fillim viti jam, jam dhurat’për vit të ri,
Seç jam, copëzat m’i gjeni në timen biografi…
Jam koçimare “ Shashice “, çelitur rërës së detit,
Jam një degëzë mersine nga ballkoni i qytetit…
Jam nga vaj’i argëlidhit, nga yshmeri me shumë petë,
Nga byreku me lëpjeta, mëndërzë e tufëz qepë….
Nga oxhaku shpuzëruar e tigani me kokoshka,
Jam nga shega, jam nga ftoi, që mbështetur rri tek porta…
Jam nga xhami e ” Oxhollit “, jam nga “ Fejzajt “ sojëli,
A ta marrë për të vërtetë?.. Pikëz gjaku “ Konjalli “…
Jam nga gurët e sokakut, nga gardhina me xinxife,
Karshillëk për ngjyr’i bëja me fustanin tim kadife…
Jam një grimcëzë Kanine aty, në brinjë të Kalasë,
Gërshetin litar mbas shpine, gjë e shenjtë, prej Mamasë…
Jam e bija e Selimit me kabash pinte rakinë,
Kryemik e burrë zakoni numër dymbëdhjetë dollinë …
Jam e motra e “ Sizif-ve “, malore na erdhi jeta,
Sa ulli në shpinë “ Kanina “, aq të poshtme-të përpjeta….
Jam nga fjala, jam nga vargu, kokën katrenës ritmike,
Shpirtin “ Pegas “ i harbuar, ndër pyllnaja poetike…
Jam-jam-jam!…, fllad Kanine, aromë Vlore, po, dhe çikëz Labëri,
Meqënse, si sot kam lindur, thash:-Të më urosh dhe tiiii!…

- poezi nga Natasha Limaj


Nuk ka akoma asnjë votë






Kjo faqe përdor cookies vetëm për reklama dhe statistika. Kjo faqe nuk mbledh, nuk përdor dhe nuk shpërndan të dhënat tuaja. Kompanitë e palëve të treta që përdorin cookies janë: Google, Taboola dhe MGID.
Më shumë info  
teksteshqip.com © 2007 - 2019