A B C D E F G H I J K L M N O P Q R S T U V W X Y Z #

Shkrinte Bora Me Rënkime

– Asaj-

O moj çmendje e bekuar, thikë e ëmbël, pa harrim,
Nëpër borën dy pëllëmbë…në një natë të Jugut tim,
Qysh i mbushe trupat tanë plot e plot me ura zjarri
Dhe na shtrive lakuriq mbi çarçafët prej acari.

Si skulptor-e – turpëruar bora merrte masën tënde,
Shkrinte nëpër kofshë e ije, nëpër vithet gjysma hëne,
Po për ne ajo s’qe borë, qe sheqer që hidhte zoti,
Të qet’sonte përrenj gjaku të tërbuar atij moti.

Shkriu bora me rënkime gjersa doli toka poshtë,
Përmbi kryq të trupit tënd unë Krishti pa një gozhdë,
Krisht i moshës njëzet vjeç, me një Bibël kuturu,
Ngjisja malet e Sinait, – ata ishin gjinjtë e tu.

O moj çmendje e bekuar, bëhu prapë e gjallë për mua,
Po bie borë prej njëzet vjetësh, më ka hyrë gjer në thua,
Më kanë mbetur ca kongjij nëpër prush të burrërisë,
Një përrua gjaku qan tek një breg i dashurisë…

- poezi nga Petrit Ruka


Nuk ka akoma asnjë votë






Kjo faqe përdor cookies vetëm për reklama dhe statistika. Kjo faqe nuk mbledh, nuk përdor dhe nuk shpërndan të dhënat tuaja. Kompanitë e palëve të treta që përdorin cookies janë: Google, Taboola dhe MGID.
Më shumë info  
teksteshqip.com © 2007 - 2019