>
LETERSISHQIP

Plakat Që Ikën Dimrin E Kaluar

Këtë dimër ato ikën njera pas tjetrës sikur ta kishin bërë me fjalë…

Tani varret tuaja kanë zënë barin e parë, të njomë,
Tek sheshi ku u shtritë buzë një lumi,
Në dhomë shilteja e vogël rri e pikëlluar akoma
Dhe ne pa kollën tuaj mezi na zë gjumi.

Trikot për mbeskat të mbetura me një mëngë,
Presin zonjat e jetës, në sirtaret e bufesë,
Si sy i pikëlluar malli, i përlotur pas xhamit
Rri, vështron e qan xhezveja e kafesë.

Mbetën ftonjtë për nipërit nga qyteti në sepete
Si pëllumba gushë- push – verdhë në kuvli,
Nuk ka zemër asnjeri, …kush t’i nxjerrë?
Ah, sa gjëra vdesin bashkë me juve, …Sa çudi!…

Tani varret tuaja kanë zënë barin e njomë,
Zemrat tona blegërijnë për ju, (si dëgjoni?!)
O gra të gjalla që po thinjeni, plakuni shpejt,
Vendi i tyre është bosh, ju lutem nxitoni!…
Turan, Tepelenë, 1985