>
LETERSISHQIP

At...!

At,
Ti e di se i urrej dimrat.
Ata më zhveshin,
m'i marrin të gjithë ngrohtësitë,
e më sjellin pranë,
kujtimin e humbjes tënde.

Më trishtojnë Dhjetorët!

Atë mbrëmje Hëna s'u duk,
kurse mëngjesi u zgjua me bubullimë
një uragan befas qiellin nxin,
Tërsëlliu porta,
e dimri me këmbët çjerrur kalldrëmeve
mbërrinte me gulçe ere,
ndërsa dielli do të lindte matanë...

E dita do të shihte terrin e saj...!

Para meje shfaqej kurmi Yt pa frymë,
dergjur nën dritën e një feneri të zbehtë
pa dhimje,
nisej udhës së amshimit,
me buzën në të qeshur,
e Tokës do t'i çonte tërë atë hijshmëri
veshur me akullin e një bukurie
e kostumin e zi,
peng i një trishtimi...

Do t'i çonte dheut fytyrën e pastër
përkundur në një heshtje të paqme
e sytë mbyllur me një gardh qerpikësh
nën ballin e lartë.

Tërë botën tënde do ta merrje me vete,
n'kafaz të kraharorit
zemrës së begatë
e shpirtin tek fryma e Zotit
Asgjë tjetër,
asnjë testament
as ara, e as çifligje...

Që atëherë, shtegtuan dallëndyshe
prapë bënë fole ndër vite,
e prapë i braktisën për të humbur në re tymi
e së fundmi një tërmet i shembi
por s' u venit imazhi yt,
etur balli për një puthje...!

U dhanë dimrat që ta ngrinin
u dhanë vjeshtat që ta zverdhin
vera kujtimin deshi të zbehë
trajtave të nesërme,
por pranverës zambakët çelnin
në ngjyra të bardha
njomur me lot
duke pëshpëritur tinëz,
se të kam dashur fort!

Po At,
dhe monopatet ta kanë ruajtur gjurmën
e deti gjithnjë për ty mërmërin...,
as mua fjalët s' mu mbaruan,
njërën dorë vë mbi mermer
tjetrën në zemër,
Zotin lus,
e atë qiparis që ajrin gris
të të ruajnë kur qiejtë të rrebelohen,
e kujtesa më pranë meje të të sjell!

DËRGOI: