>
BIOSHQIP

Seldi: Nuk Kam Armiq Rreth Meje

11-09-2012
Seldiu Qaliu, këngëtari simpatik, ka vetëm pak vite që merret me muzikë, e megjithatë ia ka dalë të jetë një ndër më të kërkuarit në diasporë e jo vetëm.Në suksesin e tij ka ndikuar jo pak edhe bashkëpunimi me këngëtarin tjetër mjaft të kërkuar Sinan Hoxha. Është shkruar pafund në media rreth raportit të tyre, ndaj Seldi preferon t'u shmanget pyetjeve që ai i konsideron si të tepërta. Edhe për ndërprerjen e bashkëpunimit mes tyre ai thotë se ishin thjesht shpifje, pa asgjë të vërtetë. Seldi tregon se gjatë verës puna e tij është e përqendruar në qytetet bregdetare, ndërsa nga tetori deri në maj axhendën e tij e zënë mbrëmjet muzikore në diasporë. "Jam thuajse çdo fundjavë nëpër qytete të ndryshme të Europës si dhe në Australi, Amerikë dhe Kanada. Unë nuk di të them nëse jam apo jo më i kërkuari, por di të them që kurrë nuk kam data të lira. Të gjitha i kam të zëna diku për koncerte", thotë ai për 'Mapo'-n. Pyetjeve për dashurinë Seldi u përgjigjet shkurt, duke thënë se në jetën e tij nuk ka ndonjë femër speciale, madje pohon se nuk është fejuar kurrë, siç është aluduar për të. Muzika, femrat, bashkëpunimi me Sinan Hoxhën, por edhe marrëdhëniet e tij me kolegët, Seldi i tregon në këtë intervistë. Seldi, si ka qenë kjo verë për ty? Vera e sivjetshme ka qenë shumë intensive me koncerte. Mund të them se më shumë ka pasur ftesa për të kënduar sesa ditë pushimesh. Ku kanë qenë koncertet më të shumta që ke pasur? Koncertet e verës kanë qenë më tepër të përqendruara në bregdet, duke filluar nga Saranda, Vlora, Shëngjini Durrësi, Velipoja, Ulqini si dhe shumë qytete të ndryshme të Kosovës dhe të Maqedonisë. Në diasporë shumë këngëtarë shqiptarë mbeten më të kërkuar. A është ky edhe rasti juaj? Në diasporë koncertet i kam duke nisur nga muaji tetor deri në muajin maj. Jam thuajse çdo fundjavë nëpër qytete të ndryshme të Europës si dhe në Australi, Amerikë dhe Kanada. Unë nuk di të them nëse jam apo jo më i kërkuari, por di të them që kurrë nuk kam data të lira. Të gjitha i kam të zëna diku për koncerte. Dimë se u jeni rikthyer koncerteve së bashku me këngëtarin Sinan Hoxha. Si është e vërteta e bashkëpunimit mes jush? Me Sinan Hoxhën kemi bashkëpunuar, bashkëpunojmë dhe gjithmonë do bashkëpunojmë. Kurrë nuk kemi pasur konflikte. Janë thjesht shpifje të gazetave në përgjithësi. Seldi, kohë më parë kanë dalë zëra se ju jeni fejuar? Në fakt, a ka një femër në krahun tuaj? Jo, nuk jam i fejuar. Me këngëtarët e tjerë si i ke raportet? Me këngëtarët e tjerë raportet i kam shumë të mira. Kam mjaft artistë që i quaj miq të mirë. Ka më shumë armiq vërdallë jush apo e kundërta? Mendoj që nuk kam armiq, por edhe nëse kam, thjesht gabohen. Mbase mund të kenë ngatërruar person, sepse nuk e bëj veten të kem armiq edhe pse konkurrenca është shumë e madhe. Pavarësisht kësaj, mendoj se ka vend për të gjithë. Ç'mendim ke për muzikën e lehtë shqiptare? Muzika e lehtë shqiptare është bërthama e asaj që prodhohet edhe sot e kësaj dite. Me pak fjalë, është frymëzimi i çdo këngëtari, qoftë ai i ri apo me disa vite eksperiencë në skenë. A është e vërtetë se njerëzit duan më shumë tallava? Muzika dhe njerëzit nuk janë të njëjtë. Do të thotë që ajo është thjesht preferencë e çdokujt. Në fund të fundit ato janë nota muzikore dhe besoj se çdo lloj rryme ka bukurinë e saj.
(Jonida Hitoveizi Gazeta MAPO)

Seldi: Nuk Kam Armiq Rreth Meje