>
BIOSHQIP

Stefi Dhe Endri Prifti, Këngë E Re Patriotike Me Rastin E 100 Vjetorit Të Pavarësisë

10-06-2012
Endri dhe Stefi Prifti janë dy këngëtarë që të gjithë i njohin si vëllezërit korçarë. Nuk ka shqiptar që nuk di të këndojë një këngë të tyre pasi ata janë shumë të dashur në të gjitha ambientet festive, duke krijuar një atmosferë të mrekullueshme. Janë nga emrat më të njohur jo vetëm në Shqipëri, por kudo ku ka shqiptarë. Kjo, edhe pse deri sot, ata nuk kanë asnjë videoklip. Njihen për serenatat e bukura, por tashmë, pas suksesit që patën me Vesa Lumën, do të sjellin një këngë të re patriotike, këngë që është shkruar me rastin e 100 Vjetorit të Pavarësisë. Në një intervistë të dhënë për faqet "Summer Time" në "Koha Jonë", ata rrëfejnë se janë edhe në përgatitjet e albumit më të ri të tyre, duke dhënë kështu një premtim për të gjithë fansat e tyre. Për më shumë lexoni intervistën.

Duket se të gjithë këngëtarët janë duke u përgatitur për të qenë pjesë e festimeve të 100 vjetorit të Pavarësisë. Endri dhe Stefi, a do të keni ju një këngë të re për këtë përvjetor?

Stefi- Na ke gjetur në kohën e duhur pasi sapo kemi përfunduar një këngët patriotike që i kushtohet pikërisht 100 vjetorit të Pavarësisë. Ne, këtë këngë do ta këndojmë në një koncert që do të mbahet ditën e martë në Prishtinë. Kjo këngë është kompozimi më i ri i Florent Boshnjakut, të cilin gjejmë momentin ta urojmë edhe për këngën që përfaqësoi Shqipërinë në Eurosong dhe që u pëlqye shumë. Pra edhe këngën tonë më të re e ka kompozuar pikërisht ai. Nuk është hera e parë që ne këndojmë një këngë patriotike, pasi kemi bërë edhe një kolazh, le të themi, me një stil paksa më bashkëkohor se ajo origjinale dhe shohim se është pëlqyer e pritur shumë mirë nga publiku. Kënga është inçizuar në studion e Shpëtim Saraçit dhe do të këndohet për herë të parë në koncertin që do të mbahet në Prishtinë.

Keni menduar që më pas t'i bëni edhe një videoklip kësaj kënge?

Stefi-Nuk mund të flasim për klip besoj unë, sepse kënga sapo ka dalë nga studioja e inxhizimit.

Endri- Ne me klipet nuk i kemi marrëdhëniet shumë të mira, pasi jemi shumë të zënë, dhe që të bësh një klip duhet t'i përkushtohesh me ditë të tëra. Por ditët tona janë shumë të ngarkuara për shkak të impenjimeve tona live.

Stefi- Por nuk mendoj se është vetëm çështje kohe, mbase është edhe neglizhenca jonë. Unë mendoj se kur të bëjmë një klip, mund të bëjmë edhe pesë radhë, kështu që mos u habisni kur të shikoni pesë klipe njëri pas tjetrit.

Mendoni se klipi është diçka e rëndësishme për këngën, apo mund të bëhet edhe pa të?

Stefi- Megjithëse ne nuk kemi ende asnjë klip, unë mendoj se është shumë i rëndësishëm për një këngëtar. Është pikërisht ai që i reziston kohës, por derisa ka dalë si element është si plotësues. Sepse sigurisht që jepet më qartë ideja e këngës. Kur themi teksti, muzika dhe orkestracioni, videoklipi është diçka plus, pasi e bën këngën edhe më prezente. Sepse sot ka shumë stacione televizive që transmetojnë vetëm muzikë dhe u bëjnë një promo shumë të mirë këngëtarëve. Sa i përket këngëtarëve që performojnë vetëm live ashtu si ne dhe nuk kanë klipe apo edhe ata që performojnë vetëm me klipe, kjo do të thosha unë është një mënyrë që ndiqet edhe në botën jashtë. Nëpër botë ka këngëtarë që performojnë live dhe të tjerë që janë të njohur vetëm me anë të videoklipeve, mbi të gjitha, klipet i bëjnë të njohur në të gjithë botën, jo vetëm në shtetin nga vijnë.

Ndalemi te kënga e re, si do të tingëllojë një këngë patriotike e kënduar nga dy korçarë, po aq ëmbël sa edhe serenatat?

Stefi- Nuk është se ne e kemi qëllim në vetvete këtë, absolutisht jo. Pastaj lidhur me atë se si do të tingëllojë, ne themi se e vendos publiku. Besoj se të gjithë këngëtarët në karrierën e tyre kanë një apo dy këngë patriotike. Por unë mendoj se është edhe një mënyrë e menduar mirë nga producentët, pasi nëpërmjet nesh, pra këngëtarët që nuk janë nga krahinat veriore, bëjnë një lidhje edhe më të madhe mes Shqipërisë dhe Kosovës, apo mes veriut dhe jugut të vendit. Dhe e dyta them se kjo ndodh gjithmonë me këngëtarët që janë në kulmin e karrierës së tyre. Pasi mesazhi patriotik përcillet edhe më fuqishëm sepse kuptohet që ata këngëtarë kanë edhe fansat më të shumtë në numër dhe janë më të pranishëm në tregun muzikor. Dhe ne i falënderojmë. Këtu dua të shtoj që edhe TV Klan ka një projekt ku ne jemi të ftuar. Me këngë patriotike me rastin e 100 vjetorit. Ai do të jetë një program gjigant dhe do të jetë i ndërtuar vetëm me këngë patriotike. Për më tepër që qyteti jonë ka një backgraund të ngjeshur me këngë patriotike duke vlerësuar absolutisht grupin "Lira".

Vera erdhi dhe është një sezon shumë i ngjeshur për të gjithë artistët. Po projektet e juaja verore cilat janë?

Endri- Ne stinën e verës e kemi jashtëzakonisht shumë të ngjeshur. Kemi filluar që tani me shumë – shumë ngarkesë. Nëse për të gjithë vera është një sezon që të sjell në mendje pushimet dhe plazhin për ne është e kundërta, për ne është një mbingarkesë pune. Kemi aq shumë koncerte, sa "nuk na zënë këmbët dhè" i themi ne. Kjo verë besojmë se do të jetë edhe më e ngarkuar pasi kemi në plan edhe një album tjetër.

Stefi- Dhe këtu gjejmë rastin që të bëjmë një premtim për fansat tanë që ky album i ri, do të promovohet patjetër edhe me një videoklip, mbase edhe më shumë, por gjithsesi një do të jetë patjetër gati.

Po si nis një ditë e Endrit dhe Stefit?

Endri- Po dita jonë fillon paksa vonë, duke qenë se ne jemi nëpër koncerte deri në orët e mëngjesit. Më pas hamë mëngjes, pimë ndonjë kafe me miqtë deri sa na vete ora për koncertin në mbrëmje.

Stefi-Duke qenë se ne jemi shpesh nën shoqërinë e njerëzve të njohur dhe në ambiente luksoze, ato orë të lira që kam, i kaloj në ambiente shumë të thjeshta. Me njerëz modestë dhe me miqtë e mi. Kur kam kohë edhe më shumë, duke parë sport dhe me pak pije.

Stefi është shumë i pandryshuar në pamjen e tij, ndërkohë që Endri shohim se ndryshon dhe tashmë është bërë brun. Po si do ta shohim këtë verë, brun apo biond?

Endri- Po varet si do ta ndjej unë veten, një herë biond një herë brun. Nuk mund të them se do të jem kështu, pasi gjithçka varet nga momenti, si të ma japë truri.

Ju thatë se vera është shumë e ngarkuar për ju, po pushime keni menduar të bëni e nëse po, ku do t'i kaloni?

Endri- Po unë kam menduar që t'i bëj në fillim të shtatorit. Do të kaloj nja dhjetë ditë pushime.

Keni menduar se ku, në Shqipëri apo jashtë?

Stefi-Ende nuk e kemi vendosur për vendin. Pushimet dy-tre ditore ne sigurisht që i bëjmë, por për pushimet më të gjata sigurisht që duhet ta vendosim familjarisht.
(yllka selita)

Stefi Dhe Endri Prifti, Këngë E Re Patriotike Me Rastin E 100 Vjetorit Të Pavarësisë