>
LETERSISHQIP

E Mërkurë E Përhime

I

Ngaqë s’kam shpresë të kthehem më
Ngaqë s’kam shpresë
Ngaqë s’kam shpresë të kthehem
E të arrij artin e njërit a kapacitetin e tjetrit
Nuk e marr mundin më të rrekem pas kësi punësh
(E ç’t’i hapë krahët kot shqiponjë e vjetër?)
E ç’t’i vajtosh
Fuqisë së zhdukur të sundimit të zakonshëm?

Ngaqë s’kam shpresë më ta provoj
Ngadhënjimin e luhatshëm të orës aktuale
Ngaqë unë nuk mendoj
Ngaqë e di që kurrë nuk do ta di
Të vetmen fuqi të vërtetë kalimtare
Ngaqë nuk mund të pi
Atje, ku pemë lulëzojnë, dhe rrjedhin kroje, se s’ka asgjë përsëri

Ngaqë e di që koha është veç kohë gjithnjë
Dhe vendi është gjithnjë vend dhe vetëm vend
Dhe ç’është aktuale është aktuale vetëm për një kohë
Dhe vetëm për një vend
Gëzoj që punët janë kështu siç janë dhe
E mohoj fytyrën e shenjtë
Dhe e mohoj atë zë
Ngaqë s’kam shpresë të kthehem më
Rrjedhimisht unë edhe gëzoj, duke m’u dashur të ndërtoj diçka
Për të cilën të gëzoj

Dhe i lutem Zotit që të ketë mëshirë për ne
Dhe i lutem që të mund t’i harroj
Këto çështje që me veten unë së tepërmi i stërholloj
Së tepërmi i sqaroj
Ngaqë s’kam shpresë të kthehem më
Le të gjegjen këto fjalë
Për atë çka u bë, për të mos u bërë kurrë më
Mos qoftë dhe aq i rëndë mbi ne gjykimi

Ngaqë këto krahë nuk janë më krahë për fluturim
Por veç flatra për të rrahur ajrin
Ajrin tashmë tejet të vogël dhe të thatë
Më të thatë e të vogël se vullneti
Mësona ta vrasim mendjen dhe të mos e vrasim
Mësona të mbajmë vendin.

Lutu për ne mëkatarët tani dhe në orën tonë të vdekjes
Lutu për ne tani dhe në orën tonë të vdekjes.

II

Zonjë, tre leopardë të bardhë u shtrinë nën një dëllinjë
Në ftohmë të ditës, si qenë ngopur mirë e mirë
Me këmbët zemrën mëlçinë time dhe atë çka përmbahej
Në qarkun e zbrazët të kafkës. Dhe tha Zoti
A të jetojnë këto kocka? a të jetojnë
Këto kocka? Dhe ajo çka përmbahej
Nga kockat (që ndërkaq qenë tharë) duke cicëruar tha:
Për hir të mirësisë së kësaj zonje
Dhe për hir të hijeshisë së saj, dhe sepse
Ajo e nderon Virgjëreshën në meditime
Ne zbardhëllojmë me shkëlqim. Dhe unë këtu i shkëlyer
Ia dhuroj veprat e mia hiçit dhe dashurinë
Pasardhësve të shkretëtirës dhe kungullit ujës.
Është kjo që m’i ripërtërin
Zorrët telat fibrozë të syve dhe pjesët e patretshme
Që leopardët i refuzojnë. Zonja tërhiqet
Në një rrobë të bardhë, në përsiatje, në një rrobë të bardhë.
Bardhësia e kockave le të përftojë harresën.
Në to nuk ka jetë. Siç jam unë i harruar
Dhe harruar mbetsha, kështu unë do të harroja
Kështu përkushtuar, përqendruar në qëllim. Dhe tha Zoti
Profetizoi erës, erës vetëm se vetëm
Era dëgjon. Dhe kockat kënduan duke cicëruar
Me barrën e karkalecit, thanë

Zonjë plot heshtje
E sfilitur dhe e qetë
E shkalafitur dhe e plotë
Trëndafil i kujtesës
Trëndafil harrese
Jetëdhënëse e shkallmuar
E tmerruar në prehje
Fillkati trëndafil
Është tashmë kopshti
Ku sosen dashuritë
Tmerr i skëterrshëm
I dashurisë së shpërfillur
Tmerr edhe më i tmerrshëm
I dashurisë së përfillur
Fund i rrugëtimit
Të pafund për kurrkund
Zgjidhje e gjithçkaje
Të pazgjidhshme
Shprehje e pafjalë dhe
Fjalë e pashprehur
Lavdi Nënës
Për Kopshtin
Ku soset gjithë dashuria.

Nën një dëllinjë kockat kënduan, hapërdarë dhe të bardha
Na vjen mirë që u ndamë, pak e ndihëm njëra-tjetrën,
Nën një dëllinjë në ftohmë të ditës, me uratën e rërës
Duke harruar vetveten dhe njëra-tjetrën, bashkuar
Në qetësinë e shkretëtirës. Kjo është toka që ju
Do ndani mes jush. Dhe as ndarja as bashkimi
S’kanë rëndësi. Kjo është toka. Ne e kemi trashëgiminë.

III

Në bërrylin e parë të shkallares së dytë
U ktheva dhe pashë përposh
Përdredhur mbi parmak të njëjtën formë
Nëpër avujt e ajrit erëkeq
Kërleshur me djallin e shkallares, që vesh
Fytyrën mashtruese të brengës dhe të shpresës.

Në bërrylin e dytë të shkallares së dytë
I lashë tek përdridheshin, përpëliteshin përposh
Nuk kishte më fytyra dhe shkallarja qe e errët
E mekët, çatalle, si goja e një plaku, që i varen jargët
A gurmazi me dhëmbë i një peshkaqeni gërdallë.

Në bërrylin e parë të shkallares së tretë
Hapej një dritare barkoshe si kokrra e fikut
Dhe pas luleve të murrizit dhe një peizazhi me kullotë
Figura shpatullgjerë, veshur në blu e jeshile
E mahniste majin me një flaut antik.
Janë plot nur flokët e shprishur, flokët bojëgrurë mbi gojë të shprishur,
Grurë dhe jargavan;
Eglendisje, variante në flaut, ecejaket e mendjes nëpër të tretën shkallare
Shuhen, shuhen; mund përtej brengës dhe shpresës
Gjatë ngjitjes së shkallares së tretë.

Zot, s’jam i denjë
Zot, s’jam i denjë
vetëm fjalën sa e them.

IV

Që ecte midis vjollcës edhe vjollcës
Që ecte midis
Ngjyrimeve të shumëllojshme të gjelbërimit të shumëllojshëm
Shkonte në të bardha e blu, në ngjyrën e Maries,
Duke folur për vogëlsira
Në padije dhe dije për vuajtje të amshuar
Që sillej mes të tjerëve teksa ecnin,
Që i bëri të fortë pastaj burimet dhe të freskëta gurrat

Bëri të ftohtë gurët e thatë dhe të qëndrueshme rërën
Në blunë e çafkëlores, blunë e Maries,
Sovegna vos

Këtej ecin motet dhe i bien mespërmes, duke mbartur
Tej violina edhe fyej, duke e përtërirë
Atë që sillet në kohën midis gjumit dhe gjalljes, atë që vesh

Dritë të bardhë përthyer, prerë përreth saj, përthyer.
Mote të reja vinë, përtërijnë
Përmes një reje të ndritshme lotësh, motet, përtërijnë
Nëpër vargje të reja të lashtën rimë. Shpëtoje
Kohën. Shpëtoje
Vegimin e parrëfyer në ëndrrën e sipërme
Ndërsa njëbrirësha xhevahiri e heqin qivurin e praruar.

Motra e heshtur mbuluar në të bardha e blu
Midis bërshenjve, prapa hyjnisë së kopshtit
Me flautin e pafrymë, e uli kokën dhe nënshkroi po s’nxorri zë

Porse gurra vrujoi fort dhe zogu këndoi poshtë
Shpëtoje kohën, shpëto ëndrrën
Shenjën e fjalës së pathënë, padëgjuar

Gjerkur era të shkundë një mijë psherëtima nga bërsheni

Dhe pas këtij mërgimit tonë

V

Nëse ka humbur fjalë e humbur, nëse është mekur fjalë e mekur,
Nëse fjalë e pashprehur, e padëgjuar
Është e padëgjuar, e pashprehur;
Prapë është e pashprehura fjalë, e padëgjuara Fjalë,
Fjala e pafjalë, universalja
Fjalë për hir të Universit;
Dhe drita zbardhi në terr dhe kundër
Fjalës e paqetuara botë prapë qerthullohej
Përreth qendrës së Fjalës së heshtur.

O populli im, ç’të paskam bërë kështu.

Vallë ku do jetë ajo fjalë, ku do jehojë
Ajo fjalë? Këtu jo, këtu nuk ka heshtje
As nëpër ishuj as në dete, as
Në kontinente, në shkretëtirë a buzë lumenjve,
Sepse ata që sillen errësirës
Gjithë ditën e ditës dhe gjithë natën e natës
Në orën e duhur dhe në vendin e duhur nuk janë këtu
S’ka vend të virtytshëm për ata që i fshihen fytyrës
S’ka orë të gëzuar për ata që mbetën mes zhurmash dhe zërin e mohuan

A do lutet motra e mbuluar për
Ata që sillen errësirës, që të pranuan dhe të kundërshtuan,
Ata që janë bërë copë e thërrime midis stinës dhe stinës, kohës dhe kohës, midis
Orës dhe orës, fjalës dhe fjalës, fuqisë dhe fuqisë, ata që presin
Në errësirë? A do lutet motra e mbuluar
Për fëmijët tek porta
Që nuk luten dot dhe kurrë s’kanë për të shkuar:
Për ata që pranuan dhe kundërshtuan

O populli im, ç’të paskam bërë kështu.

A do lutet motër e mbuluar
Midis bërshenjve hollakë për ata që e kanë poshtëruar
Dhe nuk dorëzohen dot dhe rrinë të tmerruar
Dhe pranojnë përpara botës dhe mohojnë midis shkëmbinjve
Në shkretëtirën e fundit midis shkëmbinjve blu të fundit
Shkretëtira brenda kopshtit kopshti brenda shkretëtirës
Së thatë, që i pështyn nga goja farat e fishkura të mollës.

O populli im.

VI

Ndonëse s’kam shpresë të kthehem më
Ndonëse s’kam shpresë
Ndonëse s’kam shpresë të kthehem

I lëkundur midis humbjes dhe fitimit
Në këtë kalim të shkurtër ku ëndrrat kaptojnë
Muzgun ëndërrkaptuar midis lindjes dhe vdekjes
(Bekomë, uratë) ndonëse nuk kam dëshirë t’i dëshiroj këto punë
Nga dritarja e gjerë drejt bregut prej graniti
Velat e bardha ende valëviten detit, detit fluturojnë
Krahë të pathyer.

Dhe zemër e humbur ngrin dhe ngazëllohet
Për zërat e humbur detit, humbur jargavanëve
Dhe shpirt i drobitur ngutet të ngrejë krye
Për shufërartin kryepërkulur dhe erën e humbur të detit
Ngutet të përtërijë
Krakëllimën e kllinzës dhe qyrylykun vërtitës
Dhe syri i verbër ngjiz
Format e zbrazëta midis portave prej fildishi
Dhe fryma ia rikthen tokës ranore aromën e kripës

Kjo është koha e ankthit midis vdekjes dhe lindjes
Vendi i vetmisë ku tre ëndrra rrugëtojnë
Midis shkëmbinjve blu
Por kur zërat e shkundur nga bërsheni të fashiten
Le të shkundet bërsheni tjetër e t’ia kthejë.
Motër e bekuar, nënë e shenjtë, shpirt i kroit, shpirt i kopshtit,
Mos na lejo të tallim veten me mashtrime
Mësona ta vrasim mendjen dhe të mos e vrasim
Mësona të mbajmë vendin
Edhe midis shkëmbinjve,
Paqja jonë në vullnetin e Tij
Dhe midis shkëmbinjve
Motër, nënë
Dhe ti shpirt i lumit, shpirt i detit,
Mos më ler mënjanë

Dëgjoje thirrjen time.

Më shumë nga T. S. Eliot