>
LETERSISHQIP

Malli Për Uskanën

Moj Kërçovë, Uskanë e lashtë,
Ty gjithmonë të kam dashtë,
Të kam dashtë dhe të dua,
Më shtrejta je për mua!

Je një vatër e burrërisë -
Bujarisë, kulturës, trimërisë...
Që nga koha e lashtësisë,
Ke mbushë faqet e historisë!

Je një çerdhe gjeraçinash -
Kafaz bilbilash dhe kanarinash...
Je fole intelektualësh,
Je nënëloke kurbetçarësh...

Me një mori epitetesh,
E bukur je, dhe do të mbetesh,
Shtati yt në rrafsh qëndron,
Ke Kalanë që të zbukuron.

Fshatra e male që t`rrethojnë,
Bukurinë më shumë ta shtojnë,
Fusha jote, tokë pjellore,
Është bazë e fortë ushqimore.

Pasuri të madhe kombëtare,
Ke këngën e bukur kërçovare,
Kjo këngë e vjetër polifonike,
Dallon nga trevat tjera etnike!

Edhe unë si shumë shqiptarë,
U largova si zog shtegëtar,
Lash vendlindjen, n`kurbet shkova,
Plagën e vjetër e trashëgova!

U largova e lash Atdhenë,
Si një qinjgj që le kopenë,
Porsi zogu kur le folenë,
Nuk di varrin ku do ta kem!?

E rëndë është jeta në mërgim,
Për ty digjet shpirti im,
Zemra ime kot nuk thotë,
Për mua je më e mira n`botë!

Më merr malli më përvëloj,
Aromën tënde të shijoj,
Bukuritë tua t`i shikoj,
Gjuhën shqipe të dëgjoj...

Të dëgjoj zërin e këngëtarëve,
Të dëgjoj ezanin e hoxhallarëve...
Për shumëçka më merr malli,
Shpirtë e zemër, flakë m`i kalli!

Kur vjen koha e pushimit,
Qoftë e verës, apo e dimrit,
Vijnë kërçovarët prej mërgimit,
Mbushet Bulevardi i çlirimit,

Këngën nga malli unë e shkrova,
Me lot ndër sy e shoqërova,
Me që prej teje shumë larg jam,
Ty ndër mend gjithmonë të kam.

Speshëherë natën të ëndërroj,
Të kaluarën me nostalgji e kujtoj,
Je e dashur Uskana jonë,
Për t`u këthyer kurrë s`është vonë!?