>
BIOSHQIP

Vedat Ademi I Martuar Me Tironse

22-11-2009
Vedati është një nga zërat më të dëgjuar të netëve në Tiranë. I ardhur nga Kosova, duket se ai ka gjetur terrenin e përshtatshëm jo vetëm për të kënduar, por edhe për... t'u martuar. Atë është e vështirë ta takosh në pjesën e parë të ditës, pasi për një njeri që punon natën kjo kohë është vetëm për gjumë.

Gjithmonë sportiv, jo vetëm në të veshur, por edhe në të folur. Me Shqipërinë, e mbi të gjitha më kryeqytetin ka një lidhje të veçantë, sepse këtu ka gjetur edhe personin që, tashmë, është bashkëshortja e tij.

Sa ka shkelur për herë të parë në Tiranë, një vajzë ia ka "marrë" mendjen djalit me shije të veçanta muzikore. Dhe në fakt nuk zgjati shumë dhe gjithçka, tashmë, është certifikuar në gjendjen civile. Profesioni i saj nuk ka lidhje me muzikën, por përsëri i kanë gjetur telat e lidhjes së tyre.

Vedat, u bë kohë që nuk ju shohim në ekran, cilat janë angazhimet tuaja të momentit?

Për momentin po merrem me këngët dhe përgatitjen e albumit tim të parë, i cili normalisht do kohën e vet. Duhet angazhuar tamam, sepse shpesh herë ndryshojnë edhe idetë. Ndërsa në fillim të vitit shpresojmë të jemi sërish tek "E diell" me atë formulën e vjetër me sfidën e këngëtarëve. Stili i albumit besoj do të mbetet brenda natyrës sime, do të jetë i atij pop-rrok.

Në Tiranë ju njiheni më tepër si këngëtari i të kënduarit "live" në lokale të ndryshme apo jo?

Po, është e vërtetë, puna ime kryesore ajo është, por në këtë iniciativë nuk jam vetëm, pasi kam edhe një grup që jo vetëm çdo fundjavë, por duke filluar nga e marta performojmë, duke kënduar në lokale të ndryshme në Tiranë, dhe jo vetëm...

Ka lidhje me muzikën profesioni i bashkëshortes suaj?

Profesioni i saj është ekonomiste dhe tani punon menaxhere te kartat e identitetit. Por, edhe shkruan tekste. Edhe ajo vjen nga një familje muzikantësh, babin e vetë e ka kompozitor, vëllain, po ashtu.

Ajo është shqiptare nga Shqipëria, si jeni njohur ju të dy?

Ishte viti 2003 kur kam ardhur së bashku me disa miq të mi aktorë në Tiranë, ata vinin për një shfaqje këtu. Dhe kur erdhën, takuan njerëzit ku kishin ndenjur gjatë periudhës së luftës, e cila ishte familja e bashkëshortes sime. Aty u takuam. Që në momentin e parë kuptuam se mes nesh mund të kishte diçka, ajo ishte shumë e këndshme në prezantim dhe vazhduam të takoheshim normalisht.

Arsyeja që unë vija shpesh në Tiranë ishte Dorela, por që më pas unë pata fatin të filloja punë në Top Show dhe kështu gjithçka rrodhi normalisht, në këtë mënyrë unë krijova dhe më shumë kontakte me njerëzit, pasi puna dhe zemra ime tashmë ishin këtu.

Ju ka shërbyer "Top Show" si një trampolinë për promovimin tuaj?

Para se të vija në "Top show" kam pasur një grup në Kosovë, me te cilin luaja muzikë live dhe ndodhi shumë spontanisht që unë erdha këtu.

Jeni shpërngulur përfundimisht në Shqipëri?

Për momentin jam shumë mirë këtu, me punë me angazhime. Për mua nuk ka shumë rëndësi ku jetoj, në Kosovë në Shqipëri apo Amerikë. Aty ku do të ndihemi më mirë, ne aty edhe do të jetojmë. Tani jam në Tiranë.

Ju mungon Prishtina?

Sigurisht, unë madje jam shumë i lidhur me familjen. Në fillim e kam pas pak të vështirë, por u ambientova shumë shpejt. Një herë në tre javë apo në muaj iki dhe rri dy apo tre ditë.

E kishit mendar para se të njihnit Dorelën se një ditë do të martoheshit me një vajzë nga Shqipëria?

Nuk e kisha menduar, por nuk e kam pasur problem. Por me thënë të drejtën vajzat këtu gjithmonë më kanë pëlqyer e tërhequr. Kanë një të folur më të butë dhe më interesante se sa ato kosovare. Pas tre vjet e gjysmë njohjesh erdhi edhe dasma, para një viti. U bë këtu edhe në Kosovë, atje me familjen edhe këtu me miqtë.

Po te bashkëshortja juaj çfarë ju ka pëlqyer?

Në radhë të parë më ka pëlqyer mënyra e prezantimit të saj që në momentin e parë. Qëndrimi, biseda që kemi bërë për herë të parë, këto si fillim.

Ju kritikon?

Po, është një kritike e mirë, ka edhe vesh muzike, shumicën e herëve i thotë gjërat tamam me vend.

Para se të lidheshit, ishte muzika një nga pikat e saj të dobëta që ju ndihmoj ju ta bënit për vete?

Nuk e besoj. Ka qenë një periudhë që ajo nuk dinte shumë për mua. Kur erdhi në Kosovë, atëherë e ka parë, ne thjesht kemi pëlqyer njëri-tjetrin, si jemi ndërtuar si njerëz.

Ku ndryshon muzika shqiptare nga ajo kosovare?

Nuk mund të them se ka ndonjë ndryshim të madh. Gjithsesi, në Kosovë rroku, apo pop-rroku u zhvilluan më herët. E kemi pasur këtë mundësi më parë se Shqipëria, së cilës i ka ardhur më vonë. Kosova është disa pikë më përpara në muzikë.

Ju jep të ardhura të mira kjo punë?

Të ardhurat janë të mira, por, duke marrë parasysh lodhjen, mundin dhe ngarkesën, nuk është se paguhemi tamam. Por, mjaftojnë sa për të investuar për këngët tona dhe për të jetuar.

E keni ndjerë që në Shqipëri jeni shumë i pëlqyer?

Po, duke pasur parasysh që unë punoj dhe lokalet ku shkoj këndoj janë goxha të frekuentuara, e kam vënë re. Kjo sigurisht më ka ndihmuar dhe me ka dhënë një farë vetëbesimi, por që asnjëherë nuk e kam marrë për të më hipur vetja në qejf. Jam me këmbë në tokë dhe dua të bëj shumë më tepër nga ç'kam bërë deri tani.

Keni një ambicie për muzikën, ku doni të arrini, veç albumit?

Unë e kam shumë pasion muzikën. Jam rritur me të dhe kam filluar të këndoj që i vogël në aktivitet e shkollës. Nuk e kam menduar ndonjëherë veten të këndoj play-back, të bëj një album e të mos këndoj live.

E bëj me qejf këtë punë, pavarësisht se lodhem. Nuk kam mundur të vazhdoj shkollën e muzikës për shkak të situatës së vështirë që ishte në Kosovë në atë kohë. Jetoja në Mitrovicë dhe shkollë muzike ka pasur vetëm në Prishtinë, e fitova konkursin, por që të shkoja vetëm atje në atë moshë ishte pak e vështirë, familja ime nuk pranoi.

Më pas fitova Gjuhë-Letërsinë dhe nuk jam pishman. Kam shtatë vjet që merrem me muzikë "live" dhe kjo ka ndihmuar në zhvillimin tim profesional.
(Shekulli)

Vedat Ademi I Martuar Me Tironse