>
LETERSISHQIP

Udha

Ja kjo udhë, ku shkoj unë
Ku shkel ti sot dhe të tjerë
Po më ngjaka me një lumë
Sa e gjatë, aq e gjërë

Me qëllim, a kot së koti
Qënka shkelur dhe më parë
Paskan ecur mot pas moti
Kushedi sa udhëtarë

Brez pas brezi, rob pas robi
Paskan qeshur, paskan qarë
Ndofta tek kjo udhë dhe Zoti
Të jetë Zot mëndjen ka ndarë

Bir pas biri, at pas ati
Nisën udhën si stafetë
Dorë pas dore, hap pas hapi
Kërkojnë rrugën e vërtetë!

Nip pas nipi, gjysh pas gjyshi
Rrugë bënë e rrugë lanë
Kush qe “njëshi” kush qe “dyshi”
Që të gjithë shkuan e vanë

Krah për krah, s'dihet në qenë
Larg e larg, a pranë e pranë
Para shkuan, prapa mbenë
Plot e plot pafund karvanë

Si të dobët, dhe të fortë
Kësaj udhe kaq të lashtë
S'dihet në kërkuan portë
Në qenë veç, a në qenë bashkë.

S'dihet, s'dihet përse janë
Kësaj udhe dhe ku venë
Horizontesh anembanë
Rreth e rrotull bredhin dhenë