>
LETERSISHQIP

S'mbahet Peng Një Zemër

Moj ç’ma dogje ëndrrën, si kërcu ulliri
E prushin ç’ma vodhe, më mbeti veç hiri
Kot më mban të lidhur, me pranga floriri
Zemra s’rreh ndë kyçe, zemra rreh tek gjiri

Me hallka floriri, kot më mban të lidhur
S’është me të lutur, s’është me të thirrur
Në mos qofsha trimi, s’jam as zemër dridhur
Të më duket mjalti, si shafran i hidhur.

S’është me të thirrur, s’është me të lutur
Dhe në qofsh ti lule, lulja më e bukur
Kur brenda një zemre, tjetër është futur
S’pyet dashuria, në je princ, a flutur

Në je princ, a flutur, dashuria s’pyet
Jo vullnet i saja, s’njeh pengesë të thyet
Dhe më hallemadhit, lart seç ia ngre kryet
Bën dhe një të verbër, të vështrojë yjet

Të verbërin e bën, yjet të vështrojë
Edhe një të drojtur, pa turp e pa drojë
Bilbil, shurdhmemecin bën të ligjërojë
Ku ka dashuri, për zot s’ka nevojë