>
LETERSISHQIP

Vajzë Pagane

Ulur jam, nën hije peme
Mendoj për kohën, që s’ka kthim
Në kokë më lind, një farë dileme
Të zgjoj dhe njëherë atë kujtim:

Tek vije ti, ashtu e qeshur
Më zgjoje herët, me mëngjes
Një fustan basme, në trup veshur
Të kuq, si trëndafil me vesë.

Unë naiv, sa ndarë prej nëne
Përtac, i ngathët, sa më s’ka
Ti gonxhe bukur dhe çapkëne
Me gishtat, lyer me këna.

Me shkelje sysh, pastaj më ngisje
E diç më thoje, m’u në vesh
Më vije pranë, më pëshpërisje
Me shkrije gazit, duke qesh.

E prapë, s’kuptoja tjetër ç’doje
Dhe pse të dy ishim vërsnikë
Shtat i yt, si mjaltë në hoje
Më grishte, të haja veç një çikë.

Qershive, hipur lart në majë
Në kokë, kurorë me lule dele
Për vathë, mbi çdo vesh të saj
Varej-o nga një xhyfele.

Të dy rendnim, pas një loje
Ti, çelur stinës trëndafil
Veç një çast, një çast ti doje
Përmbi petale, një bilbil.

Një bilbil, pa dalë veze
Prisje të bëntë mrekulli,
Dhe ndër sy të çelnin rreze
Të ndrije ëndrrën me magji.

Pa lyeje buzët, si rubini
Me lëng qershije, porsi gjak
Prisje ti, të vinte “trimi”
Unë, i ngathëti topolak.

Jo, s’kuptoja, tjetër ç’doje
Dhe pse të dy ishim vërsnikë
Me çuçurima, diç më thoje
Ndofta, dy tri fjalë açik.

Ku dija unë, të pija musht
Të bëja dasmë, ndër livadhe
E ca zogj, të kisha krushq
E ndërmjetëse, një kunadhe

Ku dija unë, seç ish kënaja
Apo qershitë, si vathë të ramë
Unë qershitë, dija t’i haja
E të godisja me bërthamë.

Ashtu e bukur, shtojzovalle
U nisje nuse, si në ëndërr
Unë naiv, si zog përralle
S’dija jo, t’u bëja dhëndërr.

Sot tek rri, nën hije thane
E s'kthehem dot n’atë moshë
Pres të vijë, atë vajzë pagane
Dhe njëherë xhanin, të ma joshë.