>
LETERSISHQIP

Yj Të Rremë

Të quajtën ty një yll, të rrallë
Dhe pse ku linde s'ndrite kurrë
Kur klithte nëna, s'u ndjeve gjallë
Jo më si yll, por as si burrë..

Ende i tillë mbahesh dhe sot
A thua jeta s’ka të dytë
Fale dritë, kudo në Botë
Kur atit tënd s'i shihnin sytë.

Me bijtë-yje Shqipe e varfër
Ndër mote zgjove Dheun mbarë
Ndërsa për vete, në tënden vatër
Me eshk e strall e ndeze zjarrë.

O "plak i moçëm", ç'të duhen qiejt.
Kur bijt të sillen me të sertë
Ta ndezin jo, nuk unjen "diejt".
Çibukun tënd që thith për dert

Tek ikin bijtë e tu të mirë
Atdheu im po mbetesh trokë
Për ty po vjen ditë e vështirë
Të pleqërosh me çamarrokë

O Kombi im nuk je më burrë
Tek bijtë mallkon me qiell e dhè
Disa i nëm "mos ngopen kurrë!"
Të tjerë i nëm "mos gjejnë atdhe!"

Ti anemik me gjak që shteret
Çdo çast vazhdon hemoragji
Me dritë s'e le Globin të erret
E ty s’të ndrin asnjë qiri.

Ca lëmshezes në gji të mbenë
Të lodhën Mëmë e të rropatën
Ditën të "ndrijnë" si yj të rremë
Me flakë kuçedrash të djegin natën.