>
LETERSISHQIP

Lirikë E Brishtë

Ballin me sërma, flokun të florinjtë
Vashëz e kërthinjtë, gonxhe mbi sofa
Gishtat me këna, si petale lulesh
Rritur mes pekulesh, u mbaje goxha

Fustan me toká, shtatit si burbuqe
Fjongo të kuqe, të binin në krah
Me vajza të mëdha, çup’ e vogël rritur
Një gjiton i mitur, të bënte shaka.

T'ëmbla ç'ti tha, dy fjalë te veshi
Nëse nuk të qeshi, xhane mos u qa
Përmbi tabaka, seç e vure ëndrrën
Më thuaj për zemrën, shorti kujt i ra

Të vinte gjynah, për hallet e botës
Vure rrethin kokës, për një fukara
Me nënë e baba, vije aq e bukur
Ah një shpirt-këputur, seç tu bë bela