>
LETERSISHQIP

Shosha

Një shoshe të vjetër që s’rrinte bosh,
Një ditë çekani, diç po i thosh:
"Moj mikja ime, një jetë të tërë,
Me gërr e vërr, vetëm shosh rërë.

Me këtë zhurmë, kaq monotone,
Na more mendjen, o moj gjitone."
Në çast flet tjetra, zënë nga halli:
"Nuk bëj unë zhurmë, zhurmë bën zalli.

Se grimc’ e vogël, kollaj gjen vërë,
E shoshet shpejt, se është rërë.
Por mua jeta, më dha kusurë,
Bashkë me rërën, të shosh dhe gurë.

Që veç përplasen, tek unë brenda,
Dhe shahen keq, me fjalë të rënda.
Që shesin mend, se çoç kanë bërë,
E dërdëllisin, sa nuk gjejnë vërë.

Me të mëdhenjtë, o vëlla çekan,
Sot motra jote, gjeti belanë.
Por siç thotë, një fjalë e vjetër;
Gjeçin belanë me ndonjë tjetër!"

Ia priti tjetri: "Hidhi tek unë,
Që t’i skalit, t’i fus në punë!
Kush sot nuk bindet edhe nuk shoshet
E gdhend unë e bëj për qoshet."

Ia ktheu shosha mbushur me gurë:
"Po kësaj i thonë diktaturë!"
"Ç’duhet bërë ndryshe, moj shosh’ e shtrenjtë
Të dëgjojmë dënglat, që thonë të mëdhenjtë!

Kur s’ka rrugë tjetër e kërkon puna,
Të vlojë dajaku, ligji dhe dhuna.
"Prandaj moj mike, -mbaron çekani,
Sistemi zgjidhet, siç do sovrani"